Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, ka ftuar kryetarin e BDI’së, Ali Ahmetin, të bëhet pjesë e garës presidenciale.
Taravari i ka bërë ftesën Ahmetit përmes një postimi në ‘Facebook’, duke kërkuar që “të mos bëjë propagandë”.
Kjo, pasi që Ahmeti nëpër intervista ka përmendur mundësinë e kandidimit për president të Maqedonisë së Veriut.
“Propaganda e BDI-së prej kur shpalla kandidaturën për President njëherë thotë se do dali Ali Ahmeti si kandidat, njëherë tërhiqet…”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.
“Unë e ftoj hapur z.Ali Ahmetin të garojmë dhe le të zgjidhni ju se cili ju përfaqëson më shumë e më mirë!”, vijon postimi i tij.
Taravari është ftuar në Zyrën e Kryeministrit nga kryeministri Albin Kurti së fundmi. Aleanca opozitare e shqiptarëve kanë thënë se ‘de facto’ kanë përkrahjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare. /Insajderi.org/