Në Iran, më saktësisht në qytetin e Tehrant tash e 12 ditë po protestohet nga shumë qytetarë, veçanërisht gra e vajza, kjo pas vrasjes së 22 vjeçares Mahsa Amini nga “Policia e Moralit” për dyshimin se nuk respektoi kodin e veshjes së vendit për gratë, shkruan Insajderi.
Siç bën të ditur autoritetet, Amini vdiq pas një goditjeje në tru, pas tre ditësh që ishte në koma, më datë 16 shtator.
Megjithatë, familjarët e vajzës nuk pranuan se ajo kishte goditje në tru dhe fajësuan policinë se e kanë rrahur për vdekje vajzën e tyre.
Kjo bëri që në vend pastaj të fillojnë protestat. Aty ku deri më tani dhjetëra persona besohet se janë vrarë dhe një numër i panjohur është arrestuar. Vlen të theksohet se, autoritetet nuk kanë dhënë ende shifra zyrtare.
Që prej fillimit të protestave, autoritetet filluan që qytetarëve t’ua kufizojnë aksesin në internet.
Por, megjithatë, qindra video të protestave u publikuan çdo ditë, ku shumë gra u panë duke djegur hixhabet dhe duke i prerë flokët.
Ndryshe, shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë dënuar dhunën ndaj protestuesve. SHBA ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj policisë së moralit për abuzime dhe dhunë të dyshuar ndaj grave dhe demonstruesve.
Përgjigja e shtetit të Iranit?
Brenda Iranit, deri më tani ka pasur dy kundër-demonstrata të organizuara nga shteti. Autoritetet kanë denoncuar “trazira” gjatë të cilave është djegur prona publike. Ata thonë gjithashtu se elementë “anti-revolucionarë” të udhëhequr nga fuqitë e huaja po i drejtojnë këto lëvizje.
“Ne do të godasim anti-revolucionarët kudo që ata janë të vendosur dhe do të bëhemi burim operacionesh kundër Republikës Islamike dhe kombit të Iranit,” tha Abbas Nilforushan, zëvendësi i forcës për operacionet.
Derisa, ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian tha se nuk do të ketë ndryshme regjimi në Iran dhe se nuk po ndodh ndonjë punë e madhe.
“Nuk do të ketë ndryshim regjimi në Iran. Mos luani me emocionet e popullit iranian.”
“Nuk po ndodh ndonjë punë e madhe në Iran”, tha ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian për median amerikane NPR në një intervistë të botuar të martën.
Reagime dhe arrestime
Dy liderë myslimanët, Naser Makarem Shirazi dhe Ayatollah Hossein Noori Hamedani thanë se iranianët, veçanërisht të rinjtë që janë paraqitur dukshëm në protesta, kanë të drejtë të protestojnë dhe zyrtarët duhet t’i dëgjojnë ata.
Megjithatë, ata paralajmëruan se protestat nuk duhet të jenë në atë mënyrë që “armiqtë” e Republikës Islamike të mund të përfitojnë dhe parimet fetare nuk duhet të shkelen gjatë demonstratave.
Futbollisti Ali Karimi, një ish-yll i kombëtares iraniane, ka postuar rregullisht në rrjetet e tij sociale në mbështetje të protestave.
Mehran Modiri, një humorist dhe personazh televiziv, ka postuar gjithashtu video në internet kundër reagimit të autoriteteve ndaj protestave.
Ka pasur disa arrestime të emërave të njohur që nga fillimi i protestave
Niloufar Hamedi, një reportere e gazetës së përditshme Shargh, një nga të parat që raportoi për shtrimin në spital dhe vdekjen e Amini, u arrestua në shtëpinë e saj në Teheran javën e kaluar.
Një nga disa gazetarë të arrestuar, ajo tani është në izolim në burgun Evin, sipas bashkëshortit të saj Mohammad Hossein Ajorlou.
Mediat raportuan të martën vonë se Faezeh Hashemi, vajza e presidentit të ndjerë Akbar Hashemi Rafsanjani, është arrestuar nga autoritetet e inteligjencës për “nxitje të protestuesve në protesta në rrugë në Teheranin lindor”.
/Gazeta Insajderi