
Taulant Xhaka i rikthehet futbollit, këtë herë në një rol të ri. Ish-mesfushori i Baselit do të nisë aventurën e tij si trajner, duke marrë drejtimin e FC Dardania Basel për sezonin e ardhshëm, që bën gara në ligën e katërt të futbollit zviceran.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, klubi e prezantoi me shumë entuziazëm Xhakën dhe ndihmësin e tij, Argjend Turkaj:
“Me krenari dhe respekt të jashtëzakonshëm mirëpresim në radhët tona një nga figurat më të shquara të futbollit shqiptar – Taulant Xhaka, bashkë me ndihmëstrajnerin Argjend Turkaj”.
“Një profesionist i rrallë, një luftëtar i vërtetë në fushë dhe një shembull frymëzimi për të rinjtë. Prezenca jote përbën një përforcim të madh për ekipin dhe një nder për gjithë komunitetin tonë. Sot jemi më të bashkuar dhe më të fuqishëm me ty”, thuhej në postimin e tyre në Facebook.
Xhaka ka lënë gjurmë të thella në historinë e Baselit, ku ka qenë pjesë kyçe e një prej periudhave më të suksesshme të klubit.
Me Baselin ai ka fituar shtatë tituj të kampionit të Zvicrës dhe katër Kupa të Zvicrës, ndërsa një tjetër Kupë e Zvicrës mban firmën e tij gjatë periudhës te Grasshopper.
Gjatë karrierës së tij, Taulant Xhaka ka zhvilluar 318 ndeshje në Superligën e Zvicrës, duke kontribuar me gjashtë gola dhe 20 asistime.
Me fanellën kuqezi të Shqipërisë ai ka regjistruar 30 paraqitje dhe një gol të shënuar.