
Avokati i akredituar pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Artan Qerkini, ka reaguar lidhur me refuzimin e të akuzuarve për t’u takuar me Avokatin e Popullit, Pietro Spera.
Qerkini deklaroi se refuzimi nga ana e të akuzuarve është pasojë e neglizhencës së Avokatit të Popullit për të trajtuar ankesat e tyre mbi shkeljen e të drejtave themelore.
“Sipas mendimit tim, trajtimi nuk është i duhur. Të pandehurit kanë të drejtë të vendosin në mënyrë të lirë nëse duan apo jo të takojnë Avokatin e Popullit. Ata kanë dorëzuar ankesa për shkelje të të drejtave të njeriut, jo për të ndërhyrë në procedurat gjyqësore, por për të kërkuar mbrojtje nga shkeljet e mundshme”, tha Qerkini në Dukagjini, përcjell Insajderi.
Ai theksoi se mungesa e përgjigjeve nga Avokati i Popullit ka shtyrë të akuzuarit të shprehin pakënaqësi duke refuzuar takimin me të.
Qerkini foli edhe për përfaqësimin e të pandehurit Fadil Fazliu, pjesë e akuzës së dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Ai tha se kërkesa e tij për të qenë bashkëmbrojtës i Fazliut u refuzua nga Zyra e Regjistrit me arsyetimin se ka marrë pjesë në një bastisje ndaj një bashkëpandehuri.
Sipas tij, ky është një keqinterpretim që nuk përbën konflikt interesi dhe paraqet cenim të së drejtës së të pandehurve për të zgjedhur mbrojtësin e tyre.
“Refuzimi është i pajustifikueshëm dhe shkel të drejtën themelore të përzgjedhjes së mbrojtësit”, tha ai.