×
  • Biznes
  • Biznes / Teknologji

    Të ardhurat nga rrjetet sociale pritet të ngadalësohen, TikTok dhe Apple konkurrente

    Insajderi
    22 July 2022 - 20:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Wall Street po përgatitet për rritjen më të ngadaltë të të ardhurave globale në historinë e sektorit të mediave sociale, pasi rritja e konkurrencës nga TikTok dhe Apple në reklama kërcënon të përkeqësojë problemet ekonomike në tremujorin e dytë.

    Pritshmëritë e zymta vijnë pas një viti të jashtëzakonshëm 2021, kur shitjet e reklamave të mediave sociale në Shtetet e Bashkuara u rritën me 36%, duke arritur në 58 miliardë dollarë, falë rritjes së buxhetit të marketingut nga markat, për t’u rimëkëmbur nga pandemia dhe për të arritur klientë online.

    Prej asaj kohe, platformat e mediave sociale kanë paralajmëruar investitorët dhe punonjësit se situata po ndryshon, me inflacioni që është më i larti i 40 viteve të fundit, në një mjedis ku markat shpenzojnë më pak për reklama.

    Muajin e kaluar, drejtuesi ekzekutiv i Meta Platforms (META.O), Mark Zuckerberg, u tha punonjësve se kompania po shkurtonte planet e punësimit dhe se “kjo mund të jetë një nga krizat më të këqija që kemi parë në histori së fundmi”.

    Snap Inc (SNAP.N), e cila zotëron Snapchat dhe që pritet t’i raportojë të ardhurat pas mbylljes, ka deklaruar më parë se pret të mos i arrijë parashikimet e saj të të ardhurave tremujore, për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike.

    Sipas shoqërisë së inteligjencës mediatike MAGNA, e cila rishikoi në ulje parashikimet e rritjes krahasuar me 18%, shitjet globale të reklamave në rrjetet sociale duhet të rriten me 11%, – ritmi më i ngadaltë i regjistruar ndonjëherë.

    Analistët prisnin njëfarë ngadalësimi të rritjes pas vitit 2021. Megjithatë, rritja e konkurrencës nga aplikacioni viral i videove në format të reduktuar, TikTok dhe Apple ka krijuar “stuhinë e përsosur” dhe “investitorët kanë të drejtë të dyshojnë ” për rritjen e reklamave dixhitale këtë vit, shkruajnë analistët e Barclays në një relacion kërkimor këtë muaj.

    Apple revolucionarizoi industrinë e reklamave dixhitale, kur vitin e fundit prezantoi rregullat e reja të privatësisë për iPhone, që kanë dëmtuar aftësinë e kompanive si Meta dhe Snap për të synuar dhe për të matur reklamat në aplikacionet e tyre.

    Biznesi i reklamave të Apple, i cili kryesisht ka të bëjë me pagimin e zhvilluesve për të promovuar aplikacionet e tyre në App Store, pritet të rritet me 36% këtë vit, duke arritur në 6.9 miliardë dollarë, shkroi Barclays, duke shtuar se Apple dhe TikTok së bashku do të marrin 34% për çdo dollar nga reklamat që është shpenzuar jashtë Kinës këtë vit.

    Lior Eldan, drejtuesi operativ i agjencisë së marketingut për aplikacionet celulare Moburst, që ka punuar me marka si Uber dhe Reddit, deklaroi se klientët tani po shpenzojnë rreth dy deri në tre herë më shumë për njoftimet reklamuese në Apple, pjesërisht sepse efektiviteti i reklamave në platforma të tjera është shkatërruar nga ndryshimet e privatësisë së Apple.

    “Ne kemi parë rritje drastike të buxheteve për reklamat e kërkimit të Apple pas ndryshimeve të privatësisë”- tha ai.
    Edhe pse është ende shumë më i vogël se gjigantët si Facebook dhe YouTube, TikTok është gati të rritet më shumë se 200%, duke u shndërruar në një biznes 12 miliardë dollarësh, shkruan Barclays.

    TikTok mbetet i rëndësishëm për strategjitë e reklamimit të shumë klientëve, deklaroi Yvonne Williams, zv.presidente e sektorit të mediave në agjencinë e reklamave Code3, e cila ka punuar me marka si Gap dhe Dior.

    Alphabet i Google, i cili do të raportojë fitimet e tremujorit të dytë të martën, është kompania që ka më shumë gjasa të mbrohet nga efektet negative, sepse Google Search është “mission critical” (mision kritik) për shumë reklamues, shkruan analistët e RBC Capital Markets të martën.

    Sipas Barclays Meta, Snap dhe Pinterest janë më të ekspozuar ndaj ndryshimeve të privatësisë së Apple dhe konkurrencës nga TikTok. / Reuters

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark