
Prokuroria Speciale në koordinim me Policinë e Kosovë kanë arrestuar përgjatë ditës së djeshme shtatë persona, të dyshuar për trafikim të drogës. Arrestimet kanë ndodhur në kuadër të zgjerimit të operacionit “Qielli i Thyer”, pas përgjimeve në aplikacionin “SKY ECC”. Të dyshuarit kryesisht janë ngarkuar me veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe pastrimit të parave. Pesë nga shtatë të arrestuarit e djeshëm rezultojnë të kenë në pronësi biznese.
Gazeta Insajderi ka raportuar përgjatë ditës së djeshme se të arrestuarit nga operacioni i djeshëm janë: Astrit Kazmi, Argjend Qupevaj, Arben Qupevaj, Albin Qupevaj, Fatmir Mujaj, Visar Muriqi dhe Ekrem Bajrami.
Pesë nga shtatë prej tyre kanë në pronësi biznese.
Astrit Kazmi figuron pronar në një biznes të quajtur N.T. “Astrit A”, që për aktivitet kryesor ka tregtimin e veshjeve në dyqane të specializuara.
Argjent Qupevaj është pronar me të gjitha aksionet në kompaninë N.T.P “Alb-Trade”, e cila për aktivitet kryesor të biznesit ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jo-banesore.
Arben Qupevaj është pronar i kompanisë “Euro Stone SH.P.K”, që për aktivitet kryesor ka nxjerrjen e gurit dekorativ dhe ndërtimit të gurit gëlqëror, shkumësit dhe rrasave. ndër të tjera, kjo kompani kryen edhe aktivitete ndërtimi dhe shtrimin e rrugëve dhe autostradave.
Ndërkaq Albin Qupevaj ka 100 për qind të aksioenve në kompaninë Eu Stone Group, e cila bën tregtinë me shumicë të metaleve dhe mineraleve dhe tregtimin e veturave dhe automjeteve me fuqi motorike të vogël.
Ekrem Bajrami ka përgjysmë aksione të Hotelit Bottega, ku figuron të ketë 50 mijë euro kapital. Ai është edhe bashkëpronar i EBC Group, e cila bën prodhimin e produkteve prej betonit për qëllime ndërtimi dhe bën qiradhënien e veturave ndër të tjera.
Gazeta Insajderi kishte raportuar detaje nga dosja e Prokurorisë, ku thuhet se të dyshuarit vepronin si grup kriminal. Ata porosinin substanca narkotike të llojit: kokainë, heroinë dhe marihuanë nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia. Destinacioni ishte Kosova.
“Aktivitetin e tyre kriminal e realizojnë fillimisht duke aranzhuar porosit e narkotikëve nga shtetet e lartpërmendura dhe përmes pjesëtarëve të këtij grupi sigurohen që narkotikun ta fshehin nëpër kontejner të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunker duke e kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen e narkotikut, të njëjtën përmes rrugëve tokësore, porteve detare, përmes Shqipërisë, Maqedonisë se Veriut e sjellin në Kosovë”, thuhej ndër të tjera në dosje.
Siç thotë Prokuroria, për ta shtuar sasinë e narkotikut, të dyshuarit e përziejnë me sodë buke dhe përzierës të tjerë dhe e transportojnë për në Serbi, Bosnje, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Një sasi tjetër e shesin në Kosovë.
Në dosje thuhet se të dyshuarit s’kursejnë asnjë formë për ta mundësuar transportimin e drogës jashtë shtetit.
“Të pandehurit nuk kursejnë asnjë mjet për të ja arritur qëllimit, qoftë duke korruptuar zyrtarë shtetërorë, e në raste të caktuara edhe duke eliminuar fizikisht ndonjë anëtar të grupit nëse i njëjti nuk vepron sipas udhëzimeve të grupit të organizuar kriminal”, thuhet ndër të tjera.
Sot është caktuar seanca për shtatë të dyshuarit, ku pritet të merret një vendim nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Insajderi.org/