Dy persona përfunduan në pranga dhe dy të tjerë në kërkim në një aksion të Policisë së Kosovës, nën dyshimin për ‘fajde dhe detyrim’.
Babë dhe bir, Mefail dhe Edonis Shkodra u arrestuan, derisa dy vëllezërit Rexhepi, njëri nga ta i njohur si Albert Malisheva, janë duke u kërkuar.
Siç merr vesh Gazeta Insajderi, Prokuroria tashmë ka bërë kërkesën për paraburgim kundër dy të arrestuarve nën dyshimin për fajde në Gjilan.
Seanca tashmë ka filluar, dhe këtë kërkesë Prokuroria e ka deponuar në Gjykatë.
Mefail Shkodra dhe djali i tij Edonis Shkodra janë arrestuar nga Policia nën dyshimet për fajde.
Ndërsa në këtë aksion kundër fajdeve në kërkim janë edhe dy vëllezër.
Personi i kërkuar nga Policia e Kosovës i cili ishte edhe ishte cak i tyre është Albert Rexhepi i njohur si “Albert Malisheva”, shkruan Insajderi.
Këtë ai e ka konfirmuar edhe përmes një komenti në faqen e RadioStar në Facebook. “Nuk jam në arrati po jam në pushim dhe ju përgjigjna thirrjes së policisë dhe prokurorisë”, ka shkruar “Albert Malisheva”.
I njëjti është kontaktuar edhe nga Gazeta Insajderi por ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga ai.Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro.
Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve. /Insajderi.org/