×
  • Lajme
  • Lajme

    “Të bllokuar, me orë të tëra pa ujë…” – Banorët e “Bledit” në Prishtinë ankohen për punimet në lagje, Komuna nuk i merr parasysh ankesat e tyre  

    Insajderi
    01 May 2024 - 12:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Banorët e lagjes së njohur si “Bledi” apo më saktë të rrugës “Xhavit Ahmeti”, në kryeqytet janë në hall tash e 1 muaj nga punimet që po kryhen në këtë anë. Për këto punime, Komuna e Prishtinës ka kontraktuar si punëkryes “Flamuri V” nga Malisheva. Kontrata kap shifrat e afro gjysmë milioni. Por punimet po kryhen në mënyrë jo korrekte, të ngadaltë po thonë banorët e kësaj lagje, të cilët janë ankuar në redaksi të Insajderit.

    Përveç vështirësive të veturave për të kaluar, edhe këmbësorët po hasin në vështirësi.

    Banorët po ankohen për ujin që po ndalet pa paralajmërim, për ujin që po shpërdorohet, e disa prej tyre edhe që janë bllokuar.

    Sipas tyre punimet po kryhen “shkel e shko”. Për këto ankesa, ata thonë se në dijeni është edhe Komuna e Prishtinës.

    “Uji po ndalet, pa paralajmërim – kur vjen, vjen i turbullt, a duhet najkush me na njoftu a bën me përdorë a jo këtë ujë”, ka thënë njëri prej tyre.

    “Çka është ma e keqja i kemi njoftu edhe komunën për kërdinë që po bëhet, po nuk na kanë dhënë ndonjë përgjigje”.

    “Rruga bllokohet, veç kur e sheh shenjën”, ka thënë një banor tjetër duke shtuar se të paktën komuna do të mund të publikonte një njoftim.  

    “Unë e kam pa që në kontrate thuhet për 90 ditë, ama me çfarë avazi janë tu shku këta – dimri ka me na nxan”, tha një banor tjetër i nervozuar.

    Gypat me uji rrin të lëshuar tërë natën, nuk e di qysh kryhen këto punimet kur uji shpërdorehet në këtë formë”, vijon ankesa tjetër.  “Të ndalet uji, mbetesh pa uje të pijes, pa u pastru pa kurgjo – te pakten me pas një paralajmërim”, thekson banorja e kësaj lagje.

    Kur thonë se punët po kryhet “shkel e shko”, i referohen mënyrës se si po zëvendësohen gypat e vjetër me ata të rinj.

    “Po e hapin kanalin kinse mi zëvendësu gypat e vjetër të kanalizimit e që ka nevojë, por sa herë bie shi gjithmonë bllokohen shaktat, e tash pe kuptojmë pse se të njëjtën gjë janë duke e bë prapë po e hapin kanalin po i hekin gypat pasi që po i vendosin gypat e ri po e mbulojnë direkt me dhe e që sipas mendimit tim duhet të shtrohet zhavor nën gypat e rinj dhe të mbulohet me zhavorr për arsye se kur të asfaltohet kjo rrugë prapë, asfalti do të bëhet gropa-gropa”, ka thënë banori i rrugës së Bledit.

    Përveç këtyre ankesave, banorë të tjerë janë ankuar për bllokim të total të mundësisë së qarkullimit me vetura, për shkak se punimet po kryhen ngadalë.

    “Qe 3 jave gati na u ka blloku dera, spo mundemi me dal hiç me vetura”, tha tjetri.

    Një hall tjetër që ata kanë, është edhe për të moshuarit që jetojnë në këtë lagje, të cilët thonë se janë bllokuar duke mos mundur të dalin as nëpër parqet që ndodhen në afërsi.

    “Ne ketu afër kemi edhe parqe si ai i Tokbauqes e i Gërmisë, prindërit e moshuar më kanë mbetë në shtëpi, ski qysh kalon me veturë”, u shpreh një tjetër banor.  

    Gazeta Insajderi, gjatë ditës së djeshme ka përcjellur pyetje në Komunën e Prishtinës, për të parë nëse kanë ndonjë përgjigje për ankesat e kësaj lagje por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

    Një reagim dje e ka bërë Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi i cili shihet në praninë e anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi i cili siç njofton Xhaferi qenka banor i kësaj lagje.

    “Nga projekti, në projekt”, ka shkruar ai në Facebook, duke mos dhënë asnjë përgjigje për ankesat e banorëve, madje edhe në fotografi shihet me inspektorë të komunës, pjesë e kabinetit e tij, anëtarin e LDK-së por askund nuk shihet ndonjë banor tjetër i kësaj lagje, të cilën do të mund ta dëgjonte nga afër për ankesën e tyre.

    Kontrata figuron të jetë e lidhur me 11 janar të këtij viti, mes autoritetit kontraktues Komunës së Prishtinës dhe grupit të operatorëve ekonomik si Flamuri V SH.p.k; Benita Company; AAB Construction SH.P.K rruga Rilindja Kombëtare-Malishevë i përfaqësuar dhe Vllaznim Mazreku, drejtor.

    Çmimi total i punëve duhet të jetë 383.054,20 euro, thuhet në kontratë.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark