
Pesë persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni policor, nën dyshimin se ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal që planifikonte vrasje dhe sulme me eksploziv. Të arrestuarit janë Dardan Ramqaj, Fatos Qallaku, Shpend Kelmendi, Demokrat Muçaj dhe Roland Beqiri, të cilët ndodhen në paraburgim që nga data 21 shkurt. Grupi, i drejtuar nga Demë Elshani, dyshohet se së fundmi ka planifikuar vrasjen e Sh. H. Gazeta Insajderi sjell detajet ekskluzive të këtij grupi dhe aktiviteteve të tij kriminale.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, grupi kriminal dyshohet se drejtohej nga Demë Elshani, i cili aktualisht jeton jashtë Kosovës.
Ky grup sipas dosjes së prokurorisë ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale për përfitime financiare dhe kishte përgatitur një plan për vrasjen e Sh. H. gjatë muajve dhjetor 2024 dhe janar/shkurt 2025.
Njëri nga të arrestuarit, Roland Beqiri, 39 vjeç nga Peja, është kapur më 21 shkurt 2025 në orën 22:00, me dyshimin se kishte një rol kyç në këtë grup të organizuar.
Ai dyshohet se ka siguruar një banesë me qira në Pejë dhe armët që do të përdoreshin në këtë sulm.
Prokuroria e akuzon atë për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal sipas nenit 277 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan Insajderi.
Por, si funksiononte grupi i dyshuar kriminal?
Prokuroria Speciale e Kosovës, ma 24 qershor të 2024-ës ka pranuar kallëzimin penal dhe ka nisur hetimet ndaj grupit të dyshuar kriminal.
Sipas hetimeve të Policisë dhe Departamentit të Hetimeve për Krimet e Rënda, grupi dyshohet se ka kryer vepra penale të rënda, përfshirë pjesëmarrjen ose organizimin e një grupi kriminal të organizuar, si dhe veprat penale të “detyrimit” dhe “shkaktimit të rrezikut”.
Në dosje përmenden emrat e disa të dyshuarve, përfshirë Ardian Gashin, Qëndrim Elshanin, Mentor Dreshajn dhe Milot Zekajn, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi dhe kanë marrë pjesë në aktivitete kriminale të organizuara.
Në dosje thuhet se Prokuroria Speciale e Kosovës, pas analizimit të provave, ka konstatuar se ekziston një dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer vepra të rënda penale.
“Hetimet kanë nisur më datë 03.07.2024 me aktvendimin PPS nr. 21/2024, duke u bazuar në dyshimin se grupi kriminal ka kërcënuar dhe detyruar persona të ndryshëm që të veprojnë kundër interesave të tyre dhe në dëm të pasurisë“, thuhet në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar Insajderi.
Tutje bëhet me dije se me kalimin e kohës, hetimet janë zgjeruar, duke përfshirë emrat e tjerë si Faruk Osaj, Qëndrim Osaj, Shpetim Shala dhe Shkëqlim Elshani.
Më pas, më 09.01.2025, hetimet janë thelluar edhe më shumë, duke përfshirë edhe Adem Helshanin dhe Leon Dizdarin, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në veprime kriminale.
Më 24.01.2025, grupi është dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, si dhe për detyrim, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, zjarrvënie dhe kanosje.
Gjatë hetimeve, është krijuar dyshimi se Mentor Dreshaj dhe Leon Dizdari kishin planifikuar të jepnin një armë automatike kallashnikov për Ardian Gashin, e cila do të përdorej për të kryer një vrasje apo plagosje të Sh.H nga Peja.
Më 30 janar 2025, Policia kishte ndërhyrë dhe kishte arrestuar disa nga të dyshuarit, duke sekuestruar armën dhe sende të tjera.
“Po atë ditë, 30.01.2025, Policia ka dorëzuar kallëzimin penal kundër një numri të madh të pandehurish, duke përfshirë Adem Helshanin, Qëndrim Elshanin, Mentor Dreshajn, Leon Dizdarin, Faruk Osajn dhe Ardian Gashin”.
Ata dyshohet se kishin përgatitur vrasjen e Sh.H, si dhe plagosjen e dy vëllezërve J.B dhe E.B, me qëllim përfitimi financiar ose për të frikësuar viktimat e mundshme.
“Me aktvendimin PPPS.nr.39/2024 të datës 31.01.2025, Gjykata, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), ka caktuar paraburgim deri më 28.02.2025 për të pandehurit Qëndrim Elshani, Mentor Dreshaj dhe Leon Dizdari”, thuhet në dosje.
Hetimet kanë zbuluar se Adem Helshani, pasi dështoi në përpjekjen e parë për të vrarë Sh.H, ka vazhduar aktivitetin e tij duke angazhuar persona të tjerë për të realizuar vrasjen.
Më 18.02.2025, hetimet janë zgjeruar edhe kundër Dardan Ramqajt, Fatos Qallakut, Shpend Kelmendit, Demokrat Mucajt dhe Roland Beqirit, të cilët dyshohen për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe për veprime përgatitore për vrasje.
Hetimet kanë dokumentuar se më 18 shkurt 2025, rreth orës 16:40, në pikën kufitare Vermicë (Shqipëri-Kosovë), është parë Demokrat Mucaj me një veturë Golf 6 e bardhë dhe si pasagjer ka qenë Dardan Ramqaj. Pas hyrjes në Kosovë, ata kanë udhëtuar drejt Pejës.
Në hyrje të Pejës, në fshatin Zahaq, është pritur Roland Beqiri, i cili ka siguruar një veturë Audi A3 ngjyrë e bardhë, të marrë me qira nga një rent-a-car.
Rreth orës 18:30, Dardan Ramqaj dhe Roland Beqiri kanë vazhduar drejt Hotelit Sh…, ku kanë marrë një dhomë për qëndrim.
Nga masat e veçanta të hetimit është konstatuar se Demokrat Mucaj ka poseduar 6 kilogramë eksploziv, si dhe armë si granata dore, të cilat do të përdoreshin për sulme ndaj familjes B. dhe Sh.H.
Sulmi sipas prokurorisë është koordinuar drejtpërdrejt me Demë Elshanin, i cili ka porositur që Dardan Ramqaj të mbikëqyrë realizimin e tij.
Sipas planit, Dardan Ramqaj ka kërkuar që Roland Beqiri t’i sigurojë dy persona me një veturë, që do të afroheshin pranë bizneseve të familjes B… në Pejë, me qëllim që policia t’i arrestonte si persona të dyshimtë dhe, në të njëjtën kohë, të realizohej sulmi me dinamit dhe armë zjarri ndaj biznesit të familjes Buquku, për të vrarë Shkodran Hysenin.
Dinamiti duhej të vendosej nga një profesionist nga Shqipëria, i cili nuk ishte identifikuar ende nga hetimet.
Sipas të dhënave të hetimit, i njëjti person është dyshuar se ka vendosur më parë tritol në lokalin Dizdari në Pejë, më 23.01.2025.
Dardan Ramqaj ka qëndruar në hotel dhe ka komunikuar vazhdimisht me Fatos Qallakun, Qëndrim Kelmendin dhe Roland Beqirin, për të planifikuar realizimin e sulmit.
“Më 18.02.2025, janë monitoruar bisedat mes Dardanit dhe Rolandit, ku diskutojnë për shkuarjen në Ferizaj për të siguruar “fitilat” që duhen për ndezjen e dinamitit. Këto biseda konfirmojnë se në këtë veprim është i përfshirë edhe Demokrat Mucaj, i cili është marrë me sigurimin e fitilave”, thuhet më tej në dosje.
Roli i secilit nga të pandehurit është i dokumentuar
Bazuar në dosjen e prokurorisë, Demë Elshani është porositësi dhe financuesi i sulmit, Dardan Ramqaj është përgjegjës për realizimin e planit, Fatos Qallaku siguron mbështetjen logjistike, Shpend Kelmendi ka për detyrë të shoqërojë ekzekutorin e sulmit deri në vendin ku do të ndodhte vrasja dhe pastaj ta largonte në një vend të sigurt, Demokrat Mucaj siguron një person nga Shqipëria për të vendosur dinamitin dhe për të kryer sulmin.
Roland Beqiri dhe Dardan Ramqaj kishin për detyrë të inskenonin një situatë ku dy persona me veturë të lëviznin afër bizneseve të familjes B…., për të tërhequr vëmendjen e policisë, ndërsa sulmi të realizohej në anën tjetër.
Më 21.02.2025, Dardan Ramqaj i ka raportuar një personi NN (të panjohur) për një incident gjatë ditës, duke thënë: “Unë dola me motrën, u takuam me atë njërin, pimë kafe dhe më tha runu se keni qenë në përgjime dhe përcjellje”
Për këtë shqetësim, ka kontaktuar Demë Elshanin, i cili e ka këshilluar që të mos ndërmerrte veprime të nxituara dhe të vepronte me kujdes.
Çka u sekuestrua nga të pandehurit?
Më 21 shkurt të 2025, në orën 21:35, ishte kryer një kontroll policor, ku janë sekuestruar disa sende nga të pandehurit: Dardan Ramqaj: Pistoletë me mbishkrimin PPU 32 Auto, 6 fishekë, Telefon Samsung A60.
Fatos Qallaku: Telefon Samsung Galaxy A24, Telefon Samsung Galaxy A51, Sasi e vogël e dyshuar për kokainë, Kapelë koke (që e ka bartur në një operacion), DVR i sekuestruar nga një biznes.
Roland Beqiri: Pistoletë Ekol FIRTACOMPACT, Një karikator, Telefon Samsung Galaxy A13, SIM kartelë IPKO.
Shpend Kelmendi: Armë e shkurtër Canik me numër serik T6472-20B01, Dy karikatorë me 20 fishekë, Armë e gjatë Zastava me numër serik 97878, 20 fishekë të kalibrit 5.56 mm, Telefon iPhone 14, SIM kartelë IPKO.
Demokrat Mucaj: iPad Apple, Fletëdërgesë Wunion, Telefon Nokia, Dy granata dore F1, Lugë detonator mekanik me numër serik 123462.
Fatos Qallaku, Shpend Kelmendi dhe Roland Beqiri janë ndaluar në biznesin e Fatos Qallakut, i cili ndodhet në rrugën transit pranë KFOR-it.
I pandehuri Dardan Ramqaj është arrestuar në veturë, afër pompës DHF, ndërsa i pandehuri Demokrat Muçaj është arrestuar në Deçan.
Prokuroria kërkon paraburgim për grupin e dyshuar kriminal
Prokuroria e Shtetit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Dardan Ramqaj, Fatos Qallaku, Shpend Kelmendi, Demokrat Muçaj dhe Roland Beqiri, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të organizuar që ka përgatitur vrasje dhe sulme me eksploziv.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshime të bazuara se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, duke u mbështetur në prova të siguruara përmes hetimeve dhe masave të veçanta.
Njëri nga të pandehurit, Dardan Ramqaj, rezulton të ketë jetuar jashtë Kosovës, ndërsa organizatori kryesor, Demë Elshani, ka qëndruar për një kohë të gjatë jashtë vendit.
Prokuroria vlerëson se ekziston rreziku që të pandehurit të arratisen për t’i shpëtuar drejtësisë, pasi dënimi me të cilin përballen është i rëndë.
Gjithashtu, prokuroria argumenton se lënia e tyre në liri mund të ndikojë në dëshmitarë ose të pengojë procedurat penale.
Për këtë arsye, masa e paraburgimit është vlerësuar si e domosdoshme për të siguruar mbarëvajtjen e hetimeve dhe parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale.
Në kërkesën e saj, prokurorja Merita Binak Rugova ka propozuar caktimin e një seance dëgjimore për të shqyrtuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.
/GazetaInsajderi