
Të enjten do të mbahen dy seanca parlamentare, njëra për shënimin e Ditës së bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të forcave serbe më 1999, dhe seanca tjetër e rregullt me debatin e thirrur nga PDK-ja për politikën e jashtme.
Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se ky subjekt ka ftuar debat parlamentar për zhvillimet në politikën e jashtme.
Deputeti Tahiri theksoi se në debat janë ftuar edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Në këtë seancë për të ditës së enjte, ne kemi ftuar një debat parlamentar në raport me zhvillimet politikës së jashtme. Në këtë seancë ftojmë kryeministrin e Kosovës, Kurtin, dhe ministren Gërvalla që të jetë pjesë e këtij debati parlamentar. Grupi ynë parlamentar ka nxjerrë edhe një mori vërejtjesh sa i përket mos angazhimit të Qeverisë së Kosovës në politikën e jashtme, për dështimet, degradimet që kanë ndodhur. Pra, në këtë debat parlamentar është mirë, që kryeministri, ministrja të vijnë dhe të ballafaqohen me argumentet e deputetëve, sidomos të opozitës, sa i përket mos angazhimit të duhur të qeverisë së Kosovës në këtë periudhë kur po shënojmë edhe 1 vjetorin e themelimit të qeverisë Kurti 2. Mendoj se duhet me pasur një reflektim mbi zhvillimet që kanë ndodhur në politikën e jashtme për një vit të qeverisë Kurti”, theksoi ai.
Tahiri theksoi po ashtu se në atë seancë, PDK do të prezantojë kërkesën e saj për themelimin e një komisioni hetimor sa i përket çështjes së çmimit të energjisë elektrike. Ai tha se ky proces është bërë me shumë parregullsi.
Deputeti Tahiri ka folur edhe për punën një vjeçare të Qeverisë Kurti 2, i cili tha se nuk ka progres.
“Ajo çka e përshkuan këtë qeveri për një vit, është pa aftësia dhe mos kompetenca e tyre. Për një vit kjo qeveri ka treguar se ka shumë njerëz të paaftë dhe që kemi pësuar dështime të mëdha në shumë aspekte. Dështimet kanë qenë me numrin e madhe të vdekjeve për mos menaxhim të mirë të vaksinimit… Çështja dytë nuk kemi parë as edhe një iniciativë të vetme të zhvillimit ekonomik. Kemi dështim të madh në politikën e jashtme, ajo ka pësuar vetëm skandale të një pas njëshme të ministres së jashtme të Kosovës. Kemi parë një heshtje të kryeministrit Kurti karshi këtyre dështimeve nga vartëse e tij, në këtë rast nga ministrja e Punëve të Jashtme”, tha ai.
Grupi parlamentar i PDK-së, në raport me zgjedhjet e Serbisë, ai tha se i kërkon Qeverisë së Kosovës që të respektojë Kushtetutën dhe mos shkeljen e sovranitetit të vendit.
Pas mbledhjes së kryesisë, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka folur për punën një vjeçare të Qeverisë Kurti, ku tha se ka qenë një vit me progres në shumë fushë, si dhe në aspektin ekonomik.
“Nesër bëhet një vit që prej kur kemi marrë mandatin si deputet në legjislaturën e tetë dhe qeveria Kurti ka marrë mandatin për të qeverisur me ekzekutivin. Ka qenë një vit dinamik, viti i cili u karakterizua me efektet e pandemisë gjatë gjithë vitit u përcoll edhe në vitin 2022. Një vit gjithashtu që ka shënuar progres në aspektin e rritjes ekonomike, shifra dhe statistika që tashmë nuk mund të kontestohen pa marrë parasysh zërit opozitar. Vit i cili ka rikthyer aktivitetin ekonomik, por i cili ka hap mundësi të reja për investime për vitin që jemi aktualisht. Qeveria Kurti është ballafaquar me një mori problemesh kronike të shumë viteve më herët… Në aspektin legjislativ, qeveria ka proceduar në kuvendin e Kosovës një numër rekord të projektligjeve gjatë një viti, ose 109 projektligje janë përcjellë Kuvendit të Kosovës për miratim”, theksoi ajo.
Derisa theksoi se sfidë mbetet reforma e thellë në administrate, edhe sa i përket Ligjit për pagat.