"Të ftuarit nga pushteti shprehën pakënaqësi", gjashtë gazetarë të RTK'së përjashtohen nga moderimi i emisioneve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Të ftuarit nga pushteti shprehën pakënaqësi”, gjashtë gazetarë të RTK’së përjashtohen nga moderimi i emisioneve

    Insajderi
    25 August 2025 - 18:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazetarja Blerta Foniqi Kabashi dhe pesë kolegët e saj në RTK kanë dal me një reagim, duke njoftuar se janë përjashtuar papritur nga moderimi i emisioneve, përkatësisht magazina e orës 17:00 dhe lajmet e orës 23:00, shkruan Insajderi.

    Në një reagim publik, ata e cilësuan vendimin si “arbitrar dhe joligjor” dhe theksuan se ka për qëllim “heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik”.

    Tutje thuhet se vendimi duket i lidhur me intervistat me të ftuar nga partitë jashtë pushtetit.

    “Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional.”

    Ata theksuan se ndryshimet në program duhet të bëhen vetëm nga Bordi i RTK-së, i cili aktualisht nuk funksionon

    “Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën ‘Lajmet e fundit’, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional.”

    Ata kanë raportuar gjithashtu për presionin dhe akuzat e pabaza nga eprorët, të cilat nuk janë evidentuar në mënyrë zyrtare.

    “Ne, në vazhdimësi, jemi përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike. Andaj, ushtrimi i detyrave tona të punës është bërë i vështirë, gati i pamundur.”

    Ata njoftuan se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, ndërsa do të vazhdojnë të punojnë “në mënyrë objektive dhe profesionale”.

    Nënshkrues të reagimit janë: Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami.

    Reagimi i plotë:

    Reagim publik për përjashtimin arbitrar dhe censurën alarmante në RTK!

    Të premten, në fund të orarit të punës, ne të poshtëshënuarit morëm një njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin përjashtohemi nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Lidhur me këtë situatë, kemi kërkuar edhe takim me menaxhmentin e RTK-së, por nuk kemi marrë përgjigje.

    Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional.

    Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional.

    Ne, në vazhdimësi, jemi përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike. Andaj, ushtrimi i detyrave tona të punës është bërë i vështirë, gati i pamundur.

    Nisur nga këto, vendimi i fundit arbitrar ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik.

    Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend.

    Andaj, ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale.

    Blerta Foniqi Kabashi

    Meneta Zekaj Nushi

    Jehona Zhitia

    Edona Musa

    Arton Mulliqi

    Valon Bajrami


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark