Vetëm 7 për qind e shqiptarëve shfaqin interes ndaj zbulimeve të reja shkencore dhe teknologjike. Është ky rezultati pas anketës së zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Kërkim dhe Inovacion në 27 vendet e “unionit” dhe shtetet kandidate për anëtarësim.
Sipas rezultatit të publikuar nga Komisioni Europian, shqiptarët renditen të fundit ndër popujt që shfaqin interes ndaj zhvillimeve teknologjike e shkencore.
Nga ana tjetër, edhe ata pak shqiptarë që zotërojnë aftësi digjitale e teknologjike po largohen nga vendi duke ndikuar kështu negativisht në tregun e punës. Sipas një raporti të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim të titulluar, “Raporti i Tranzicionit 2021-2022”, i cili përqendrohet në tendencat e digjitalizimit, në vend rendimenti në punë është i ulët për shkak të mungesës së aftësive teknologjike, duke u përkthyer kësisoj edhe në pagesa të ulëta.
Sipas studiuesve të ekonomisë dhe tregut të punës, teknologjia duhet të konsiderohet si prioritet, pasi nevojat e diktuara nga pandemia për këtë sektor janë shumë të mëdha. /a2/