
Partitë politike në vend po vazhdojnë të thyejnë masat antiCovid.
Mbrëmë masat u thyen sërish nga kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.
Në një fotografi të siguruar nga Insajderi, Lushtaku së bashku me disa aktivistë të PDK-së shihen se janë tubuar pas orës policore.
Ndeja është mbajtur në një lokal të Skenderajt.
Nga pamjet, tavolinat shihen të mbushura plotë me pije alkoolike e meze.
Në një ndejë ku i pranishëm është Lushtaku nuk ka se si të mungojë çiftelia.
Edhe në muajin e kaluar, më konkretisht më 27 dhjetor Insajderi ka raportuar se si për drenicakët e PDK-së “nuk ka virus”. Herën e kaluar ata u panë në një odë.
Të pranishëm ishin figura të rëndësishme të PDK-së. Duke nisur nga kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, deputeti i PDK-së Fadil Nura, ish-kryesuese i Kuvendit Komunal të Skenderajt Ismet Salihu e aktivistë të tjerë të kësaj partie, u panë të bashkuar në një odë ku mes saj jehonte tingulli i sharkisë.
Këto tubime po mbahen në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen me 14 shkurt.
Ditë të fundit, nuk kanë qenë të pakta raportimet për thyerje të masave antiCovid nga politikanët kosovarë. Nuk dihet nëse të njëjtit deri tani janë dënuar, ndonëse nga organet kompetente janë shprehur se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe se do të dënohet secili që thyen masat./Insajderi.org