Profesoresha universitare, Hatixhe Latifi-Pupovci, sot rreth orës 14:30 në ambientet e fakultetit u sulmua nga një person.
Lajmin për sulmin ndaj profesoreshës Latifi-Pupovci për Insajderin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Sot rreth orës 14 :30, kemi marrë informatën se në Fakultetin e Mjekësisë, në Prishtinë, një person është sulmuar fizikisht. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar një person ( femër) , e cila është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Me rastin po merren njësitet përkatëse”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Insajderin.
Më pas, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe profesoreshën Pupovci e cila tha se krejt kjo ngjarje erdhi si pasojë e dështimit të një studenti në provimin tek lënda e saj.
Pas provimit, në dalje, profesoresha u ndalua nga prindi i studentit dhe i njëjti pasi u prezantua si gjinekolog, me një gotë qelqi e sulmoi atë, çka bëri që Pupovci të shtrihej në emergjencë.
“Ngjarja ndodhi mbasi e rrezova në provim, një student atu kishte qene tu e prit baba, te dera. edhe ne momentin që dul djali sigurt i ka thanë qe ka ra asnjë minutë nuk ka shku ka hy baba i vet tha qe jam doktor arsimi gjinekolog tha e ke thirr me provim me goje mandej i thash ka ra u kry kjo pune tha e çka pas kësaj a e paramendon çka ndodh jo jom njeri qe nuk më intereson u qu edhe me sulmoi”, tha Pupovci për Insajderin
Të kontaktuar në lidhje me ngjarjen ishin edhe përfaqësues të Fakultetit të Mjekësisë ku thanë se për ngjarjen u njoftuan nga sekretarja e katedrës.
“Po, sot sekretarja e ka raportuar rastin tek ne edhe stafi akademik, për shkak se policia ka filluar të merret me rastin nuk kishim mundësi të përfshihemi më shumë, ndërkaq tani menjëherë do ta kontaktojmë dhe do të interesohemi për gjendjen e saj”, tha Krasniqi për Insajderin.
Rreth gjëndjes shëndetësore të gruas së zëvëndësministrit Pupovci, Insajderi ka kontaktuar drejtorin e Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla i cili tha se profesoresha Latifi-Pupovci ka marr lëndime në fytyrë, gjendja e saj është stabile dhe tani është liruar për në shtëpi.
“Po, e kemi marrë një paciente me traumë dhe ka lëndime në fytyrë. Gjendja e saj është stabile dhe tani është liruar për në shtëpi. ka thënë drejtori i Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla.