Barrikadimi i veriut të Kosovës për mëse njëzet ditë dhe mundësia për përshkallëzim “ishin kthjellje për shumë kë”, pati deklaruar Këshilltari i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pas vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd, shkruan Insajderi.
Tashmë amerikanët ishin futur edhe vetë në skenë si lojtarë kyçë për farkëtimin e një ujdie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të zhbërë ciklin e përhershëm të krizave.
Hapi i parë në normalizimin e marrëdhënieve do të ishte “normalizim pa njohje të plotë”, pati thënë Chollet në Financial Times. “Do thotë njëfarë mënyre për ta vendosur Kosovën në rrugën Euro-Atlantike ku duam ta shohim”.
Kompromis u kërkohet të dyja palëve, thoshte diplomati amerikan.
“Derisa serbët eventualisht do të duhej të pranojnë një nivel sovraniteti, Kosova duhet që serbëve etnikë të saj t’u jap autonomi më të gjerë, në veçanti një bashkësi formale për komunat e saj të banuara me shumicë serbe në veri të vendit”.
Rreth kësaj të fundës, Chollet tregonte se Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ia kishte kumtuar “urgjencën e madhe”. Dhe, siç thoshte ai, “ata e kuptojnë rëndësinë e kësaj”.
Tre muaj më vonë që nga takimi i fundit i Nivelit të Lartë në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Bashkimi Evropian ka ftuar liderët më 27 shkurt për takim të radhës, tashmë edhe të kornizuar në një plan të ri për normalizimin e marrëdhënieve mes shteteve.
Në prag të këtij takimi, palët kanë qëndrime përjashtuese ndaj njëra tjetrës.
Serbia kërkon Asociacionin si “parakusht i të gjitha parakushteve” ndërsa Kosova thotë se ajo mund të përfshihet në kuadër të propozimit evropian, të zbatohet pas konkludimit të saj, e assesi t’i paraprijë asaj.
“Thelbi është Asociacioni. Pra – ose do t’i qasen problemit të zgjidhjes së Asociacionit, ose: faleminderit, kaq ishte”, thotë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndërkaq, Kurti thotë se trajtimi ekskluzivisht i kësaj çështje në hyrje të propozimit është trajtim i interesit të njërës palë. “Pas të hënës do të mund të dimë se çka e ku”, tha ai.
Opinionisti dhe gazetari Dukagjin Gorani, s’ka pritshmëri se në takimin e së hënës do të ketë arritje të ndonjë marrëveshje konkrete, por megjithatë vlerëson se do të ketë pajtim rreth një udhërrëfyesi për implementimin e marrëveshjes.
“Mendoj që duhet të qartësohet diçka: në takimin e 27 shkurtit nuk do të bëhet fjalë për arritje të ndonjë marrëveshje konkrete, por për pajtim rreth orarit dhe mënyrës së implementimit të marrëveshjeve të arritura deri sot”, tha Gorani për Insajderin.
Ky udhërrëfyes, sipas Goranit, gjithashtu do të ketë formën e një marrëveshjeje mes palëve,
“Ky orar, ose ‘road-map’ po ashtu ka formë të marrëveshjes që duhet të nënshkruhet. Ndryshe, këto ditë, kjo koreografi apo plan i implementimit po quhet edhe ‘sekuencim’ nga kryeministri i Kosovës”, tha ai.
Se ku çon ky pajtim, Gorani thotë se ajo dihet tashmë – njohje faktike nga Serbia krahas themelimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.
“Pra, në Bruksel do të nënshkruhet plani i implementimit i cili do ta përmbyll Dialogun Kosovë-Serbi, fundi i të cilit dihet tashmë: Kosova do të ketë njohje de-facto nga Serbia dhe do ta implementojë Asociacionit/Zajednicës, mes tjerash”, përfundon Gorani në një përgjigje për Insajderin.
Njëjtë mendon edhe Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, se takimi i së hënës do të definojë “udhërrëfyesin” për ta çuar procesin para, e cila gjithsesi do të përfshijë edhe Asociacionin.
Megjithatë, vëren ajo, gjithmonë mund të ketë një befasi – atë që Rusia do të provojë të pengojë marrëveshjen.
“Mendoj dhe shpresoj që përfundimisht të pranohet marrëveshja. Gjithmonë mund të kemi befasi. Rusia do të vazhdojë të pengojë implementimin përmes proksive të saj por nga kjo mund të ketë mbrojtje nëse Vuçiqi është seriozisht i përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE”, tha ajo për Insajderin.
“Marrëveshja është një fillimi i procesit e cila do të përkufizojë udhërrëfyesin përfshirë Asociacionin. Nuk do të jetë çfarë dëshiron Beogradi (status të Republika Srpska-s) që nga fillimi”.
Është kontradiktë në vetvete ndaj shtetit civil, thotë Biserko, vetë ideja e autonomisë etnoterritoriale. “Do të jetë diçka në mes tyre, varet nga bisedimet”.
Por, për çka shprehet e sigurt ajo, është se “nuk do të ketë më prolongim ose çfarëdo hezitimi, sepse Perëndimi dëshiron ta rrumbullakësojë më çështjen e Ballkanit”.
Tash edhe është “momentumi historik”, vlerëson aktivistja serbe, dhe kjo në dritën e një vjetorit të pushtimit rus të shkallës së gjerë në Ukrainë.
“Shpresoj që të dyja palët të kuptojnë momentumin historik. Sepse nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet, të dyja palët do të izolohen ose do të lihen më vete. Asnjëra nuk mund të bëjë progres pa mbështetjen e BE-së. Do t’ju duhet të presin një tjetër mundësi e cila s’ka gjasa të shfaqet së shpejti, kjo duke e pasur ndërmend kontekstin ndërkombëtar”.
“ShBA e cila është faktori kyç në këtë rast ka shumë çështje tjera për t’i adresuar në tjera vende (madje edhe në vendin e saj)”, thotë Biserko për Insajderin.
Kurti, Asociacioni, dhe fërkimet me ShBA-në
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është bërë mollë sherri mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, shkruan Insajderi.
Fërkimet deklarative mes dyve tashmë janë plasuar edhe në publik.
Tensionet dolën në sipërfaqe kur emisari amerikan haptas u shpreh se Asociacioni do të bëhej “me ose pa” përfshirjen e qeverisë kosovare.
Kurti s’ka nevojë të pajtohet, u shpreh Escobar kohëve të fundit. “Kosova tashmë është pajtuar” u shpreh ai në një intervistë dhënë për VoA.
Ndërkaq, kryeministri kosovar, në një intervistë RFE iu përgjigj Escobar-it me një pritshmëri, e cila, sipas tij, duhej të kishte qenë asimetrike në krahun e kundërt.
Është dashur që në Beograd të thotë “Serbia duhet ta njohë Kosovën pavarësisht Presidentit të Serbisë” e jo në Kosovë të thotë “Asociacioni duhet të bëhet pavarësisht Kryeministrit të Kosovës”, tha Kurti.
Madje, Kurti, edhe takimin e thirrur nga ambasada amerikane më 31 janar për të diskutuar për Asociacionin, ia atribuoi “këmbënguljes” së Escobar-it. Në këtë takim, ai tha se “nuk më kanë ftuar”.
Escobar kishte bërë të ditur se në rast të mospërfshirjes së qeverisë kosovare në diskutimet për zhvillimin e një modeli për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, do të kërkoheshin “partnerë alternativë”, shkruan Insajderi.
Kurti, në anën tjetër, vazhdon të mirëmbajë qëndrimin se Asociacion të ndërtuar mbi kritere etnike nuk mund të ketë në Kosovë. Argumentimi i tij është se një gjë të tillë “nuk e duron” kushtetutshmëria e vendit.
Ai shtonte edhe një pyetje të re, që në masën më të madhe, ndonëse jo në mënyrë eksplicite, i adresohbet Gabriel Escobar-it.
Kurti thotë se ata që kërkojnë Asociacionin përtej të drejtave që Plani i Ahtisaarit ua siguron komunitetit serb, “mbajnë barrën e argumentimit”.
Siç e kupton Kurti, argumentimi që bën Escobar nuk është i shëndosh.
“Jam gati për bisedime për të drejtat e pakicave, të komuniteteve joshumicë, jam gati për këtë. Por duhet ta kuptoni se është shumë e rëndësishme që ata që duan më shumë të drejta sesa u jep plani i Ahtisaarit, e mbajnë barrën e argumentimit – pse u duhen më shumë”.
“Ahtisaari mori çmimin Nobel për Paqe, çfarë do ta plotësonte planin e Ahtisaarit, cilat janë argumentet për të metat e tij. Barra e argumentit duhet të jetë mbi ata që kërkojnë diçka tjetër apo diçka më shumë”, tha ai në televizionin publik.
Çfarë thotë argumentimi i Escobar-it?
“Ata [serbët e Kosovës] kanë disa shqetësime legjitime”, tha në një intervistë për RFE, Escobar në kohën e barrikadimit të pjesës veriore, derisa shtoi se ”gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Unë u kam thënë njerëzve se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë këtë qeveri që ta zbatojë këtë. Nga pozicioni ynë, është një detyrim ndërkombëtar, ligjërisht i obligueshëm”.
Escobar, për herë të parë, qe shprehur hapur se “një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim”, me “politikanin e vetëm” duke aluduar në Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Se ShBA do të niste punimet për këtë Asociacion të shumëkontestuar, Escobar ishte shprehur se “Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut”.
Ky Asociacion, sipas Escobar-it, nuk ka të bëjë asgjë me Serbinë, por në mbushjen e boshllëkut ekzistues mes Qeverisë qendrore të Kosovës dhe pakicës serbe, shkruan Insajderi.
“Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës”.
“Unë e shoh këtë si mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës”, thoshte Escobar.
Asociacioni dhe plani franko-gjerman
Escobar në intervistën e fundit dhënë për VoA, u shpreh se Asociacioni dhe plani frnako-gjerman “nuk janë krejtësisht të ndërlidhura” dhe la të kuptojë se themelimi i saj duhet t’i paraprijë planit për normalizim.
Në anën tjetër, edhe neni i 7 i planit për normalizim, përmban kërkesën për sigurimin “e një niveli adekuat vetëqeverisjeje për komunitetin serb në Kosovë”, pikë kjo e cila vetëm se e frazon ca më ndryshe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Insajderi.
Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Asociacioni t’i paraprijë planit franko-gjerman, në kontekstin e asaj që Serbia ta pranojë atë plan.
Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, pas tensioneve me çështjen e targave “KM, etj”, serbët u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës në Veri dhe rikthyen strukturat paralele.
Sipas tyre, ata s’do të kthehen në institucione pa u formuar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe siç është dakordësuar në vitin 2013 dhe në parimet e vitit 2015, parime këto të cilat janë kontestuar në një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese në dhjetor të atij viti./Insajderi/