Qeveria e Kosovës të hënën edhe zyrtarisht do ta procedoje për në Kuvend marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kërkesa e kryeministrit Mustafa ka bërë që opozita edhe një herë të mobilizohet si nga brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë saj ashtu siç kishte bërë edhe me 1 shtator të vitit të kaluar kur demarkacioni ishte proceduar në kuvend.
Partitë opozitare kanë konfirmuar për Tribuna Channel se për të hënën kanë thirrur protestë qytetare për ta kundërshtuar këtë marrëveshje.
Driton Çaushi, nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se si brenda kuvendit ashtu edhe jashtë saj do të kundërshtohet demarkacioni.
“Do të ketë kundërshtim brenda dhe jashtë kuvendit duke njohur mos konstituimin e deputetëve aktual të pushtetit dhe faktin se ata votojnë ma shumë se makinat votuese për interesat e veta e jo nga interesat kombëtare”, ka thënë Çaushi.
Valdete Bajrami, nga Nisma për Kosovën ka thënë se periudha e gazit lotsjellës ka kaluar mirëpo çdo metodë që do të përdorej për kundërshtimin e kësaj marrëveshje do të ishte e domosdoshme.
“Ne e kemi thënë edhe ma herët se do të kundërshtojmë demarkacioni kjo seancë është e vonuar sepse kjo qeveri do të bie. Nisma për Kosovën e ka thënë fjalën e saj sa i takon gazit lotsjellës se nuk e konsiderojmë më periudhë të gazit por çdo mjet që përdorët për ta kundërshtuar demarkacionin do të thosha se do të ishte i domosdoshëm”, ka thënë Bajrami.
AAK dhe Nisma për Kosovën edhe më herët kanë deklaruar se do synojnë ndaljen e kësaj marrëveshje me votë, kurse Vetëvendosja nuk i ka përjashtuar as opsionet tjera.
Me 1 shtator të vitit të kaluar kur ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ishte proceduar në kuvend, opozita kishte organizuar protestë për të kundërshtuar ratifikimin e saj por kryeministri Mustafa kishte tërhequr këtë pik të rendit të ditës me arsyetimin se nuk është momenti i duhur për të votuar marrëveshjen e 26 gushtit të arritur mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Që nga ajo kohë demarkacioni nuk ishte proceduar asnjëherë në kuvend./Insajderi.com