Gjatë muajit gusht, ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, tashmë i shkarkuar nga kryetari Shpejtim Bulliqi, e kishte akuzuar të parin e komunës për ndërhyrje në vendimet për ndërtimet në zonën e Orllanit.
Por kush janë pronarët e këtyre villave që kryetari Shpejtim Bulliqi i shpëtoi nga rrënimi?
Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentet ku janë të paraqitur edhe emrat e personave që janë pronarë të vilave në atë zonë.
Nazim Demolli, Minie Mziu, Altin Rekaliu, Arton Mehmeti, Idriz Mulolli, Artan Saliçuni, Mendih Lluka, Fisnik Osmani, Polen Pozhari, Bajram Selimaj, Visar Munishi dhe Miranda Munishi janë pronarë të vilave në zonën e Orllanit.
Kujtojmë se Mulliqi kishte thënë treguar se ndaloi kryetari Bulliqi që punën e tij ta bëjë si duhet.
“Unë e kam njoftu kryetarin që do të ketë rrënime të objekteve në Orllan, të nesërmën na ka thirrë në mbledhje në ora 8, një mbledhje tejet e acaruar e pakuptimtë dhe ka kërkuar që të ketë transferim të krejt inspektoratit që është jashtë normales kjo punë. Kjo është direkt pengim i kryerjes së detyrave të inspektorëve dhe unë s’kam pranu me i nënshkru ato transferime gjë që i kam bë me dije, ai më ka kërku me dhanë dorëheqje une s’kam dhanë dorëheqje”, ka thënë ai.
Ai u shpreh se Bulliqi i kishte thënë që nëse i kërkon edhe në burg me shku duhet ta zbatojë vendimin e kërkuar nga ai.
“Në aspektin ligjor nuk më duket aspak në rregull dhe i kam tregu me mirësjellje se nuk du me pasë pasoja ligjore, masnej kryetari ma ka thanë me fjalë në rregull kur të them unë ki me shku edhe në burg, atëherë më vjen keq unë nuk shkoj në burg kështu ka qenë”, u shpreh ai.
Po ashtu, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte njoftuar se do të marr masa nëse konfirmohen deklaratat e ish-drejtorit të Inspeksionit, Besnik Mulliqi se kryetari Bulliqi ka ndërhyrë në vendimet për ndërtime e rrënimet në Komunën e Podujevës, tashmë ky është iniciuar si rast.
GazetaInsajderi.org