Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shfaqur haptazi mosbesim ndaj versionit të Presidencës lidhur me incidentin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit. Ai ka thënë se është në pritje të një raporti zyrtar për “ta kuptuar se çfarë saktësisht ka ndodhur”.
Gjatë një konference për media pas takimit me kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski, shefi i Qeverisë së Kosovës deklaroi se po pret zyrtar lidhur me çështjen e incidentit në Aeroportin e Shkupit, ku presidentes Vjosa Osmani i ndodhi një “skandal diplomatik”.
Sipas rrëfimit të stafit të Presidencës, sigurimi i aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht presidenten Vjosa Osmani. Përveç saj, thonë se duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani dhe çantën personale të dorës.
Kurti deklaroi në konferencë se ka qenë përjetim i rëndë për ‘shkëlqesinë e saj, presidenten Osmani‘ pasi ajo ka qenë duke udhëtuar me dy vajzat e vogla.
“Padyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes të Republikës së Kosovës, shkelqësisë së saj, Vjosa Osmani- Sadriu. Më 2 gusht në Aeroportin e Shkupit. Aq më tepër që ka qenë më familje dhe me dy vajzat e vogla. Autoritetet e Maqedonisë së veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe në hollësi. Edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe të mos na përsëriten kurrë më situata e tilla”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Na vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë. Pres që herave tjera, Osmani të më njoftojë për udhëtimin e saj, edhe atë privat, që të dal në aeroport ta pres miqësisht” shtoi Mickoski. /Insajderi.org/