×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Të nënçmuar nga shteti” | Rritet numri i ankesave nga zyrtarët policorë, dorëhiqen rreth 40

    Insajderi
    06 July 2023 - 16:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kërkesat ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë të mëdha por vlerësimi nga shteti është zhgënjyes. Kjo po rezulton edhe me dorëheqjet që pothuajse çdo ditë po ndodhin brenda stacionit të Policisë së Kosovës. Për gjashtë muajt e fundit është raportuar për dorëheqjen e rreth 40 policëve me arsyetimin se kanë paga të ulëta. Madje, ata as nuk janë paguar për shtesat për rrezikshmëri në punë. Pavarësisht këtyre problemeve, sot policia ka dal me një njoftim se ka hapur një konkurs të ri për pranimi e policëve të rinj.

    Zyrtarët Policorë në Kosovë po vazhdojnë të përballen me probleme elementarë siç janë pagat e ulëta, mos pagesat për orët shtesë e mungesë të pajisjeve.

    Në zyrën e ankesave, brenda Sindikatës së Policëve të Kosovës ka numër të madh të ankesave që adresohen nga zyrtarët policorë.

    Se fundmi ka një numër të madh të ankesave sa i përket pagesave për orët shtesë për rrezikshmëri në punë.

    Kryetari i sindikatës, Imer Zeqiri ka treguar për Gazetën Insajderi se pothuajse çdo ditë pranojnë ankesa nga zyrtarët policorë.

    Shumica e pjesëtarëve të policisë, për mos me thënë të gjithë kanë ankesa për mos pagesën e shtesave dhe kushteve tjera”, tha ai.

    Që nga implementimi i ligjit të ri të pagave, pjesëtarët e policisë nuk e kanë marrë shtesën për rrezikshmëri në punë – Për këtë, Zeqiri thotë se është nënçmuese pasi që ata ekspozohen 24/7 ndaj rrezikut për shëndet dhe jetë.

    “Kjo nuk është dashur të ndodhë sepse zyrtarët policorë i ekspozohen rrezikut për shëndet dhe jetë 24/7 për arsye se kanë obligim Ligjor që t’i përgjigjen çdo rasti pa marr parasysh nivelin e rrezikshmërisë. Shumë e pa arsyeshme dhe nënçmuese për Policinë e Kosovës që deri me tani nuk paguhet shtesa për rrezikshmëri në punë”, komentoi ai duke shtuar se për këtë pranojnë shumë ankesa dhe paknaqësi te pjesëtarët e policisë.

    Lidhur me dorëheqjet e paraqitura, Zeqiri tha se rreth 40 dorëheqje kanë ardhur nën gjashtë muajt e fundit ku shumica prej tyre ishin të pakënaqur me pagat.

    Uniformat e reja për Njësinë Speciale

    Ndonëse, ankesa ka pasur edhe për mungesë të uniformës ku disa i kishin të vjetërsuar e të shqyera- tani pjesëtarët e Njësisë Speciale janë pajisur me uniforma të reja.

    Këtë e ka konfirmuar edhe Kryetari i Sindikatës së KP’së, Imer Zeqiri.

    “Po Policia e Kosovës ka blerë uniforma për pjesëtarët e njësive speciale”, tha ai për Insadjerin.

    Insajderi mëson se këto uniforma kanë ngjyrën e gjelbërit – ngjyrë kjo që simbolizon qëndrueshmërinë heroike të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Me uniforma të reja, Njësia Speciale janë parë në aksionet e fundit në Veri të Mitrovicës.

    Lidhur me blerjen e uniformave të reja për Njësinë Speciale, Gazeta Insadjeri ka kërkuar informacione shtesë nga Policia e Kosovës por nuk kanë dhënë përgjigje. /Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark