Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit Lokal, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është parti e dhunshme që po kryen akte terroriste.
Pas disa sulmeve që janë identifikuar ndaj disa prej familjarëve apo vet anëtarëve të opozitës, zëvendësministri Gecaj pretendon se ato po i kryen partia opozitare, Vetëvendosje.
Madje Gecaj gjatë një intervistë për emisionin “Info Magazine” ka thënë se subjekti që po përdorë dhunë në Kosovë është VV-ja.
“Konsipracione ne mund të ndërtojmë sa të duash. Muajt e fundit subjekti politik që përdorë dhunë është Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Gecaj ka thënë që Vetëvendosja po kryen akte terroriste, me të cilat po mundohet që të imponojë domosdoshmërish mendimin e tyre në opinion.
“Aktet e sotshme janë akte terroriste, akte si hedhja e gazit në kryesi. Fatkeqësia është se kjo punë është bërë e zakonshme, ata duhet të mësohen se nuk mund ta imponojnë mendimin e tyre. Nëse ata sot mundohen të imponojnë mendimin, çka mendoni nëse marrin pushtetin? Ata do e shndërronin shtetin në diktaturë, ata janë duke kërkuar anarki dhe të përmbysin gjithçka që kemi ndërtuar deri më tash”, përfundoi anëtari i Partisë demokratike të Kosovës./Insajderi.com