Të privilegjohesh edhe si shkelës - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Të privilegjohesh edhe si shkelës

    Insajderi
    25 October 2016 - 15:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të jesh i privilegjuar, do të thotë të gëzosh të drejta të veçanta. Do të thotë të jesh i veçuar dhe në avantazh nga të tjerët sa i përket po këtyre të drejtave. Do të thotë të të trajtojnë ashtu (të veçantë) dhe të kesh prestigj në hierarkinë shoqërore dhe institucionale. Madje, madje të kesh edhe pushtet mbi të tjerët, të ne! Dhe jo vetëm.

    Në Kosovë mbetesh i privilegjuar edhe si keqpërdorues, në proceset hetimore dhe ato gjyqësore, e besa, edhe në vendimet e gjykatës, të cilat do të duhej ta kishin rolin parandalues dhe ndëshkues për keqpërdoruesit me përgjegjësinë publike. Por, janë të privilegjuar  personat në pozitat e rëndësishme publike.

    Kemi jo pak raste që njerëz më pozita dhe përgjegjësi të rëndësishme publike, janë kualifikuar  dhe vërtetuar si shkelës dhe keqpërdorues duke shfrytëzuar dhe shpërdoruar po ato pozita. Janë kryetar komunash e kryetar gjykatash të konfirmuar si shkelës dhe të tjerë në procese hetimore, zyrtarë të ndryshëm nga po këto institucione, shefa të grupeve parlamentare, deputet dhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ministra e zyrtarë të tjerë të profileve të ndryshme të rëndësisë publike.

    Sa e sa të tjerë do të ishin vërtetuar si shkelës po të kishim një sistem profesional, të paanshëm dhe efektiv të drejtësisë, sa do të ishin në proceset hetimore dhe ndëshkuese tani, madje, ndoshta duke përfshirë edhe vet Presidentin e vendit Hashim Thaçi, i cili kishte drejtuar në dy mandate me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Por, profilet e larta politike vazhdojnë të mbesin të të privilegjuar!

    Bazuar në veprimet e tyre, del se po këta njerëz, përgjegjësinë publike më shumë e shohin si privilegj dhe mundësi pasurimi sesa përgjegjësi dhe obligim sipas interesit publik.

    Javën që shkoi, dy vendime të gjykatave thelluan edhe më shumë mos-besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Njëri ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, ndërsa tjetri ndaj ish kryetarit të Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe së fundmi asaj të Apelit, Salih Mekaj.

    Në të dy rastet shpërfaqet “privilegji” i të qenurit kryetar duke mundësuar pasurimin përmes shpërdorimit?!

    Anjëheri nuk mjaftohej me privilegjin e kryetarit, ashtu si e shihnin, duke mbetur të privilegjuar edhe në proceset gjyqësore.

    Derisa ndaj të parit (Nuhi Uka) përfundoi gjykimi në shkallën e parë, ndaj të dytit, (Salih Mekaj), filloi procesi gjyqësor, të dy këta, të akuzuar për keqpërdorime. Derisa Uka u privilegjua me vendimin duke u liruar, Mekaj u privilegjua më një shqyrtim gjyqësor të mbyllur, larg publikut. Kush e di nëse si i tillë ( i privilegjuar) Mekaj tani do mbetët deri  në fund të procesit, gjithashtu.

    Nuhi Uka akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për Krim të Organizuar dhe Mashtrim, derisa bashkë më të, akuzoheshin edhe shtatë persona të tjerë. Në mesin e tyre, kishte edhe ish gjykatës të  Gjykatës e cila drejtohej nga Uka. Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të datës 21 tetor 2016, Uka u lirua për dy akuzat, për Krim të Organizuar për shkak se nuk u gjet fajtor nga gjykata, ndërsa për Mashtrim për shkak të vjetërsimit.

    Vendimi i tillë i gjykatës, ndër të tjera, nxjerrë në pah dy gjëra:

    E para, mungesën e efektshmërisë së sistemit për të trajtuar rastet e tilla duke u mundësuar kështu vjetërsimi i rastit dhe;

    E dyta, mungesën e profesionalizmit të prokurorisë dhe gjykatës për të provuar dhe vërtetuar akuzat për të cilat edhe dyshohej ish Kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë së bashku me bashkëpunëtoret e tij.

    Theks të veçantë i vihet prokurorisë në këtë rast e gjithashtu edhe për raste tjera, e cila edhe pse fillon proceset dhe ngritë aktakuzat për veprat e rënda penale si ajo e Krimit të Organizuar dhe ato të korrupsionit, në fund dështon t’i vërtetojë në gjykatë.

    E gjithë kjo, vazhdon të kalojë pa llogaridhënie për shkaqet që sjellën deri të vjetërsimi dhe defektet profesionale të (pa)mundësisë së vërtetimit/zbardhjes së rasteve, apo edhe llogaridhënien për akuzat e pabaza, nëse ishin të tilla.

    Nuhi Uka, i cili përkundër akuzave të vazhdueshme vazhdon të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë përmes angazhimit të tij si avokat, është nën hetime për Krim të Organizuar bashkë me 51 të dyshuar të tjerë, në mesin e të cilëve edhe ish deputeti Azem Syla. Ai ishte shpallur i pafajshëm edhe në dy procese të tjera gjyqësore, po ashtu për keqpërdorime.

    Në anën tjetër Salih Mekaj, akuzohet për dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte nën ‘privilegjin’ e të qenurit Kryetar i Gjykatës së Apelit. Ai ishte i suspenduar nga pozita e Kryetarit, i cili më pas vetëm pasi kishte filluar procesi gjyqësor, i kishte ofruar Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dorëheqjen e tij nga të gjitha funksionet e cila gjë, edhe ishte aprovuar në mbledhjen e KGjK-së.

    Procesi ndaj Mekajt i cili filloi me 20 tetor 2016, u mbyll për publikun më një vendim të gjykatës.

    Shqetësim mbetej vendimi arbitrar i gjykatës për mbyllje seancës duke mos publikuar fillimisht vendimin me arsyet dhe ende më keq, kur një gjë e tillë mbështetej nga prokuroria. Kjo bëhej edhe më absurde kur në të njëjtin vendim, parashihej e drejta e ankesës derisa të dyja këto (Prokuroria dhe Gjykata) ishin pajtuar për mbylljen.

    Dispozitat ligjore parashohin saktë rastet kur një proces apo një pjesë e tij, mbyllet për publikun, mirëpo në rastin e vendimit për rastin Mekaj e i cili vendosë që tërë procesi të jetë i mbyllur, dëshmon arbitraritet dhe jo-transparencë pikërisht nga institucioni i cili po provon ta vendosë drejtësinë.

    Marr parasysh rëndësinë dhe përgjegjësinë publike për pozitën që mbante Mekaj dhe abuzimin me detyrën dhe përgjegjësinë publike, është interes publik që një shqyrtim i tillë të mbahet i hapur dhe i qasshëm për publikun, mediat dhe të interesuarit. E vërtetë se ligji parasheh rastet kur një shqyrtim apo pjesë e tij duhet mbyllur dhe është e drejtë e gjykatës që të vendosë pikërisht për këtë, mirëpo vendimi i tillë do të duhej të ishte bazuar në arsyet ligjore dhe rëndësinë publike të rastit.  Rasti i Mekajt mund të mbyllej në një pjesë të caktuar të procesit i cili vërtetë ka të bëjë me privatësisë për arsyet e familjes, siç parashohin saktë edhe rregullat penale procedurale, mirëpo procesi si tërësi duhet mbetur i hapur dhe i qasshëm për publikun dhe të interesuarit.

    Kjo edhe njëherë ka dëshmuar faktin e privilegjit ndaj një ish funksionari të lartë të drejtësisë i cili tani gjykohet nga ish vartësit e tij të një niveli më të ulët organizativ.

    Vendimet për të dyja rastet, paralajmërojnë praktikën e rrezikshme për proceset tjera të natyrave të njëjta dhe të tjera, dhe e cila gjë, vazhdon ta rëndojë tutje drejtësinë duke humbur në vazhdimësi besimin e qytetarëve.

    Ndër fushat më të ngecura në Kosovë, mbetet sundimi i ligjit dhe mungesa e një sistemi efektiv të drejtësisë i cili do të siguronte parandalimin e veprimeve të paligjshme fillimisht dhe me pas të ndëshkonte po këto akte që bien në kundërshtim me rregullativen ligjore dhe dëmtojnë të mirën publike.

    Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po ashtu mbeten ndër pikat më kritikuese nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare. Edhe pse të shpallura me prioritet, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, ende nuk ka japë rezultatet e duhura dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, çdo ditë e më shumë vazhdojnë ta humbasin besimin për drejtësi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark