Forumi i Rinisë së LDK-së, dega e tretë në Prishtinë, ka zhvilluar një aksion për mbylljen e gropave në rrugën “Hamdi Gashi” lagjen Velania.
Me këtë veprim pjesëtarët e Forumit Rinor duan ta përkujtojnë lënien në harresë të kësaj rruge nga, siç thonë ata, udhëheqja aktuale e Prishtinës, Vetëvendosjes.
Kryetari i këtij forumi, Flamur Sadriu, tha se duke parë neglizhencën e organeve komunale për të intervenuar edhe në këtë pjesë të “kryeqytetit”, kemi marr këtë aksion më se të domosdoshëm.
“Vendosëm që sot pashmangshëm ta marrim këtë aksion, në këtë rrugë që në kohët më të vështira për popullin tonë, ishte rruga më e frekuentuar, por nisur nga ajo që ky i ashtuquajtur subjekt politik mëton se gjithçka fillon me ta edhe nuk na befason shumë. Ata edhe ashtu po mundohen që me çdo kusht ta zhbëjnë madhështinë e papërsëritshme të Presidentit Rugova, por janë të pashpresë në këtë rrugëtim të tyre, meqë Rugova tani është në mbamendjen e çdo shqiptari”, tha Sadriu.(lajmi.net)