
Të paktën dy persona janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur në një të shtënë masive në Montgomery të shtunën në mbrëmje, bënë të ditur autoritetet në Alabama të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një grua ishte mes të vrarëve dhe të paktën dy nga të plagosurit ishin fëmijë, njëri prej të cilëve është në rrezik për jetë, tha për Montgomery Advertiser Shefi i Departamentit të Policisë së Montgomery-t (MPD), James Graboys, raporton New York Post.
Masakra ndodhi në qendrën e qytetit, në lagjen turistike të frekuentuar menjëherë pas ndeshjes së futbollit amerikan midis Universitetit Tuskegee dhe Kolegjit Morehouse.
Të shtënat filluan kur shpërtheu një sherr midis dy grupeve rivale rreth orës 23:30 në qendër të Montgomery, tha Graboys.
Shqetësimi u përshkallëzua në një shkëmbim zjarri të vazhdueshëm ku autorët qëlluan me tërbim drejt turmës, duke goditur kalimtarët.
“U përfshinë dy palë që qëllonin me armë njëra-tjetrën në mes të një turme”, tha ai, duke shtuar se autorët e sulmit “nuk u interesuan për njerëzit përreth tyre kur e bënë këtë”.
Deri më tani, nuk ka pasur arrestime. Dymbëdhjetë nga 14 viktimat mbeten në spital.
“Në total, tre viktima mbeten në rrezik për jetë dhe nëntë prej tyre pësuan lëndime jo kërcënuese për jetën”, tha togerja e MPD-së Tina McGriff. /Insajderi.org/