
Policia ka intervistuar dy persona nën dyshimin se kanë shtënë me armë zjarri gjatë një dasme në komunën e Shtimes.
“Policia e Kosovës, përmes stacionit policor në Shtime, ka reaguar menjëherë pas pranimit të një informacioni rreth orës 09:00 të mëngjesit, për të shtëna me armë zjarri në një dasmë në fshatin Petrovë, Shtime”, thuhet në njoftimin e Policisë Rajonale të Ferizajt.
Gjatë ndërhyrjes në vendin e ngjarjes, policia ka kontaktuar njërin nga të dyshuarit, i cili ka dorëzuar armën e zjarrit. Kjo armë më pas është konfiskuar nga organet e rendit.
Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
“I dyshuari A.B., 23 vjeç, është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, ndërsa më pas është intervistuar edhe i dyshuari tjetër A.M., 45 vjeç, për veprën penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’”, thuhet më tej në njoftim.
Prokurori i shtetit, i njoftuar për rastin, ka urdhëruar që të dy personat të lirohen në procedurë të rregullt.