Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi i ftuar në ‘Zgjedhje 2021’ nga Alban Dudushi dhe Pranvera Borakaj, në Vizion Plus, foli për mënyrën se si do të zhvillohet procesi i votimit më 25-Prill dhe ndër të tjera edhe për të izoluarit me Covid-19.
Celibashi u shpreh se kjo kategori në fjalë nuk do të mund të votojë, megjithatë KQZ nuk mund të vendosë ndonjë penalitet për këtë gjë.
“Ata që janë të karantinuar, sikurse dhe ata që janë në spital janë në pamundësi për të votuar. Kjo edhe për shkak të ligjit, sepse do të duhet që të respektojnë një protokoll që lidhet me respektimin e jetës dhe shëndetit të të gjithë popullatës. Nëse nuk paraqitet dikush në qendrën e votimit, ai nuk mund të votojë”.
“Kushdo që paraqitet në qendrën e votimit është i lejuar të votojë dhe duhet të votojë. Nuk ka asnjë lloj pengese. Është në përgjegjësinë e tij, nëse do të duhet të qëndrojë në shtëpi për shkak të karantinimit dhe ka dalë, por do marrë ato penalitetet që merren, por s’ka lidhje me pjesën e votimit dhe KQZ nuk vendos ndonjë penalitet për këtë gjë”, ka thënë më tej Celibashi.