Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë e fundit që e ka konfirmuar 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale.
Kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, ka thënë se iu janë ofruar në dispozicion 4 data, e më hershmja ishte 26 janari.
“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, thotë Abdixhiku me anë të një postimi në ‘Facebook’.
Edhe Abdixhiku sikurse opozitarët e tjerë e potencuan se pjesë në këtë takim nuk morën Vetëvendosja dhe Lista Serbe.
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të reja, janë deklaruar dy krerët e partive opozitare, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Memli Krasniqi i PDK-së, shkruan Insajderi.
Haradinaj ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve, propozim i cili thotë se u mbështet edhe nga partitë e tjera opozitare.
“Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare. Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja. Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar”, shkroi ai në Facebook.
Të njëjtin propozim e ka dhënë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Ai ka propozuar që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve parlamentare.
“Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje. PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, ka shkruar Krasniqi. /Insajderi.org/