Te vrasësi i Klodianit duhet të shohim ministrin, drejtorin… - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Te vrasësi i Klodianit duhet të shohim ministrin, drejtorin…

    Insajderi
    11 December 2020 - 13:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, iu deshën dy ditë të reagonte pas dhunës barbare të Policisë së Shtetit, pa gdhirë 17 maji 2020, kur mbështeti mafien e betonit në pushtetin qendror dhe vendor, për të shembur Teatrin Kombëtar, duke dhunuar e burgosur dhjetra artistë dhe qindra qytetarë, sikur të mos ishin për mbrojtjen e një monumenti të kujtesës sonë kulturore dhe historike, por vandalë.

    Në krye të reagimit të 19 majit, pa patur shpjegim zyrtar dhe institucional për kthimin e Policisë së Shtetit në polici private që rreh dhe u vë kambalen mbi qafë protestuesve paqësorë, Lleshaj u shpreh: “Oficerët e policisë mbajnë në uniformë simbolet e Republikës, kanë atributet e zbatuesit të ligjit, kanë përgjegjësi dhe mbrojtje të veçantë ligjore. Për këtë arsye, tek ata duhet ta shohim Ministrin, madje edhe më shumë duhet të shohim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtuesit e tjerë të saj”.

    Sot, një ditë pas ekzekutimit makabër të 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një polic i patrullës, Lleshaj nuk guxoi të përsëriste se pas policit vrasës është ai, drejtori i PSH-së e të tjerë, por se kishte nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave të vrasjes.

    Publiku e di të vërtetën, edhe pse ajo u tentua të manipulohej, gjoja me armën që kishte i riu, me një copë dru, apo me një lëvizje të dyshimtë. Këto alibira qesharake u detyrua t’i rrëzojë vetë institucioni që drejtohet nga Lleshaj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme (SHÇBA) që një ditë më parë fajësoi policin për vrasjen e të riut: “Dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme”. Në përfundim të hetimeve të SHÇBA-së polici u arrestua për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

    Lleshaj nuk është i paditur, por i pangopur, si gjithë të tjerët e sojit të vet. Ai e di se në çfarë bataku është zhytur dikasteri që ai drejton me gaz, gjoba dhe së fundi ekzekutime, por nuk ka këllqe të ikë, sepse i ka lezetuar pushteti.

    Ai do ta çojë deri në fund përdorimin jo thjesht politik, por kriminal të mijëra uniformave nga drejtues që volën përqindjet nga kanabizimi i vendit, zhytën duart thellë në manipulimet zgjedhore dhe janë gati ta bëjnë sërish me 25 prill 2021, vetëm që mafia e betonit dhe e kanabisit të mos ikë nga pushteti.

    Nuk është se pushteti do të bëhet më i mirë dhe më paqësor me afrimin e zgjedhjeve. Përkundrazi, do të bëhet më brutal, më intimidues, më mashtrues dhe i pashpirt, duke i kërcënuar njerëzit me bukën e gojës për votën. Lleshaj nuk pret që dalë e vërteta e zbuluar lakuriq për vrasjen e Klodianit. Thjesht kërkon të fitojë pak kohë, që njerëzit të harrojnë ekzekutimin e Klodianit, siç harruan mbytjen me gaz lotësjellës apo marrjen zvarrë te Teatri, ku pas çdo polici pa numër indentifikimi, me iniciale dhe ekzekutor duhet të shohim Lleshajn dhe ata që ka nën hyqëm.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark