Ndërmarrja publike lokale Termokos, e cila udhëhiqet nga Fisnik Osmani i LDK’së, vitin që shkoi ia kishte dhënë miliona euro për një tender që nuk u bë i hapur përmes “e-prokurimit” e ku përfitoi kontratë firma ‘All Zone”, përmes një pale të tretë, por pjesën më të madhe t madhe të parave e jep Termokosi. Tenderi lidhej për zgjerimin e rrjetit të Termokosit nëpër kryeqytet. Pronar i kësaj firme deri më 2015, tash zyrtarisht veç drejtor i operacioneve në të, kishte përkrahur haptazi tashmë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 2021-ës.
Gazeta Insajderi
(Ky artikull është edituar. Reagimi i njërës palë është publikuar në fund të raportit)
Mbi katër milionë euro Termokosi nën udhëheqjen e LDK’së i kishte vite në mënyrë të fshehtë. Pra, përmes procedurës që nuk u shfaq publikisht në platformën “e-prokurimi”. Paratë për kryerjen e punëve që lidheshin me zgjerimin e rrjetit të ngrohtores në kryeqytet u ndanë për firmën ‘All Zone’.
Dikur pronar, tash veç drejtor i operacioneve në këtë firmë, Valon Zymberi në kohë të fushatës zgjedhore ishte shfaqur i afërt me Përparim Ramën, teksa e mbështeste në fushatë atë.
Por, si u dha kjo kontratë që nuk ishte publike përmes “e-prokurimit”?
“Kontrata T-2, Project: “Improvement of District Heating System Pristina”, Contract 2 – supply and installation of DH pipes, BMZ ID 201667575. Vlera e kontratës: 4,349,630.52 €;. Vlera Totale e projektit, pas shtesave të pranuara: 7.6 milion €. Kontraktor : ALL ZONE LLC. Pagesa totale e kryer për këtë pako është 6,229,946.57euro, ndërsa. Pa paguar janë : 1,370,053 euro. Për periudhën raportuese (tetor 2023- tetor 2024) për T-2, planifikohet të realizohet vlera prej 1,370,053 euro”, thuhet në raportin e “Termokos” publikuar nga ZRrE-ja.
Tenderi nuk ishte shpallur i hapur në platformën “E-prokurimi”. Por, “All Zone” e mori kontratën përmes “KfW” gjermane, por në një raport tjetër financiar të “Termokos” bëhet me dije se, në fakt, pjesa më e madhe e parave do të paguhen nga “Termokosi” që drejtohet nga njeriu i LDK-së, Fisnik Osmani.
“Kontrata me kontraktorin ALL ZONE është nënshkruar në fund të dhjetorit të vitit 2020, ndërsa punimet konkrete ne teren kanë filluar në fillim të majit të vitit 2021. Për periudhën raportuese (teter 2022-tetor 2023) për T-2, planifikohet të realizohet vlera prej 3,022,709.64 euro. Vlera e totale për dy paket e projektit (T-1 dhe T-2) që planifikohet të realizohet për periudhën (tetor 2022-tetor 2023), është 7,382,071.00 euro.
Sqarim: Sipas kontratave të reviduara me punë shtesë të projektit të KfW, pjesa prej 7.3 milion euro, do të paguhet nga NP “Termokos” sh.a gjatë periudhës (2021-2024), si bashkëfinancues i këtij projekti.
Ky bashkëfinancim është dedikuar për mbulimin e zgjerimit të rrjetit jashtë kontratës, në lagjen Mati 1 ka pasur 32 ndërtime të objekteve të reja në krahasim me kohën kur është bërë projekti fillestarë.
Në kuadër të kësaj, nga Termokosi në vitin 2021 është paguar shuma prej 400,000.00 eurosh dhe për vitin 2022 janë ndarë. Imilion euro (nga të cilat 750,000.00 euro janë paguar dhe së shpejti do të paguhen edhe 250,000.00euro). Prandaj, shuma e mbetur prej 5 9milion euro do te mbulohet nga Termokosi gjatë periudhës 2023-2024, dhe gjatë vitit 2023 planifikohet të paguhet shuma prej 2,500,000.00 eurosh (e paraqitur në tabelën 7)”, thuhet në këtë raport, faqe 15.
Për këtë tender, Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje ndërmarrjes publike lokale ‘Termokos’ për të marrë sqarime. Tash e një javë s’ka marrë asnjë përgjigje.
Meqë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është shprehur e zëshme në kundërshtimin e tenderëve një-burimorë të Qeverisë Kurti, Insajderi ka kontaktuar kryetarin e saj, Lumir Abdixhikun dhe zëdhënësin Besian Mustafa për t’i pyetur nëse janë në dijeni për këtë tender. As nga ta s’ka marrë përgjigje.
Insajderi po ashtu iu është drejtuar me pyetje edhe kabinetit të Përparim Ramës dhe nënkryetarit të kryeqytetit, Alban Zogaj, për t’i pyetur nëse janë informuar nga kryeshefi ekzekutiv për këtë tender, por deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë përgjigje.
Lidhur me këtë fenomen, shqetësimin e tij ka shprehur shefi i asamblistëve të VV’së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla. Ai në një prononcim për Insajderin kanë thënë se njerëzit e LDK’së në ekzekutiv dhe ndërmarrje komunale po tentojnë të kapin sa më shumë tenderë e punësime.
“Ne vitin e fundit te mandatit te tyre, duke qene te bindur se skane cfare te kerkojne ne zgjedhjet e ardhshme, njerezit e LDK-se ne ekzekutiv dhe ne ndermarrje komunale, jane ne ofanzive ta papare per te kapur sa me shume tender e punesime, e cdo gje tjeter qe ju sherben interesave personale e partiake.
Valon Zymberi, dikur pronari i “All Zone”, tash veç drejtor i operacioneve (sipas faqes së kompanisë në internet) ishte dënuar në vitin 2012 për mashtrim të Policisë së Kosovës lidhur me një tender.
EXPRESS shkruante se gjyqtari Faik Hoxha, nga provat e prezantuara kishte gjetur se Valon Zymberi me kompaninë “Idal Solucion” kishte mashtruar PK-në duke i shitur një kamion mallrash të modifikuar për top uji për shpërndarjen e protestuesve- autoblindë, vlera e të cilit ishte mbi 200 mijë euro.
“All Zone”, atë kohë pronë e Bekim, Valon e Besnik Zymberit nga Komuna e Prishtinës, që nga viti 2009 e deri në vitin 2012, pati marrë tenderë si e vetme ose edhe si pjesë e konzorciumeve, vlera që kapin shifrën mbi 11.7 milionë euro, shkruante Preportr në magazinën e botuar në Koha Ditore, edicioni “Isa n’fron!”.
Më 2009-ën në një veturë, në të cilën ishin dy drejtues të Policisë së Kosovës kishte ndaluar në fshatin Mazgit. Shpend Maxhuni, atëkohë zv.drejtor i Policisë dhe Fehmi Gjata, shef i operacioneve speciale kishin vërejtur diçka të dyshimtë tek një autoservis në këtë fshat.
Kishin zbuluar se një biznesmen që kishte fituar një tender në vlerë prej 208 mijë eurosh po e mashtronte Policinë e Kosovës.
Ai ishte kontraktuar për furnizim me një automjet special për trazira, por drejtuesit e Policisë vërejtën se në Mazgit një kamioni të transportit të mallrave po i montohej Topi i Ujit.
Denoncimi i drejtuesve të Policisë kishte çuar deri në dënimin për biznesmenin Valon Zymberi, tash drejtor i operacioneve në “All Zone”, derisa pronësinë në të e ka Ragip Zymberi/ Gazeta Insajderi
Në domenin publik nuk ka pasur asnjë informacion që rasti ishte kthyer në rigjykim dhe Valon Zymberi, shtatë vite pasi ishte dënuar fillimisht, me rigjykim u lirua nga akuza.
Megjithatë, edhe pse nuk ka asnjë obligim, bazuar në atë që u tha në fjalinë paraprake, Gazeta Insajderi për hir të korrektësisë e ka botuar të plotë, në formën siç ka ardhur (të skanuar), reagimin: