Por automobilat më të vjetër mund të pajisen me sisteme të ngjashme po ashtu. Dhe një studim i ri ka sugjeruar se mund ta bëjnë automobilin më të sigurt, shkruan sot Koha Ditore.
“Kjo mund të jetë një rrugëdalje ideale për të përfituar nga teknologjia që parandalon aksidentet, me një kosto më të ulët krahasuar me automobilat e rinj”, ka thënë Ian Reagan, autor i studimit dhe zyrtar në “Institutin e Sigurimeve për Siguri nëpër Autoudhë” në Amerikë, organizatë joqeveritare e krijuar nga kompanitë e sigurimeve.
Teknologjia e tillë mund të jetë e vlefshme pjesërisht për shoferët e rinj, sepse çdo kilometër që kalojnë, sistemi do t’ia kujtojë shoferit praktikat e sigurisë si përdorimi i sinjaleve për lëvizje anash dhe mbajtja e distancës së duhur, ka thënë Reagan, për “New York Times”.
“Ata mund të mësohen herët. Sjellja e një vozitësi të kujdesshëm nga fillimi mund të mbesë tek ta deri në plakje”, ka shtuar ai.
62 për qind e shoferëve që ishin pjesë e një studimi kanë raportuar se kanë ndryshuar me kalimin e kohës sjelljen në rrugë, duke përfshirë edhe se si iu kanë kushtuar më shumë vëmendje distancës nga automobilat tjerë e përdorimit më të shpeshtë të sinjaleve, ka thënë Reagan, që prezantoi hulumtimin në një konferencë ndërkombëtare, vitin e shkuar.