Miqtë e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Arianit Ibrahimi në Gjilan po vazhdojnë të jenë përfituese të mijëra eurove. Krejt kjo dyshohet se po bëhet për shkak të interesave të koalicionit për qeverisje me kryetarin e Gjilanit nga Vetëvendosje, Alban Hyseni.
Komuna e Gjilanit e drejtuar nga Hyseni po vazhdon të i jep para publike organizatës së miqve të Ibrahimit, pasi që dyshohet se ka nevojë për votën e tij në kuvend komunal siç ka mësuar Gazeta Insajderi.
Dy herë brenda vitit 2022-të, Organizatës jo qeveritare “Lirona MVD”, iu ndanë mijëra euro. Në thirrjen e datës 11.02.2020 kjo OJQ deklaronte se do të realizojë një film dokumentar për “Vlerat Kulturore”, ku bazuar në thirrjen publike shihet se i janë ndarë afro 4 mijë euro më saktë 3 mijë 489 euro. Por që shuma nuk u ekzekutua për shkak të hulumtimeve të Insajderit.
“Lirona MDV”, drejtohet nga Argjenta Qamili, Lirona Zuka e Gentrit Shala të tre miq të Arianit Ibrahimit të AKR-së.
Megjithatë, pas raportimeve të Gazetës Insajderi, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni vendosi që të anulojë të gjithë procesin e thirrjes publike për subvencionimin e organizatave duke pohuar se arsyeja e anulimit ka qenë nga parregullsitë që janë bërë gjatë procesit.
“Nga vlerësimi i bërë procesit ne konstatojmë për parregullsi, të mjaftueshme për ta kontestuar dhe për të vendosur për anulim të gjithë procesit të thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, shkruante Hyseni përcjell Insajderi.
Pas tentativës së parë që “Lirona MVD” dështoi të përfitoi me afro 4 mijë euro në thirrjen e fundit publike, atë të datës 19.04.2022, shihet se i janë ndarë 1 mijë euro.
Pavarësisht “parregullsive” siç pretendonte Hyseni “Lirona MVD”, sërish u shpërblye me subvencion veçse vlerë më të ulët.
Edhe në vitin 2020, Arianit Ibrahimi përmes organizatës “The Future” së bashku me bashkëpunëtorët e tij Qamilin, Zukën e Shalën kishin përfituar 1 mijë e 500 euro tjera nga pushteti i Lutfi Hazirit të LDK-së.
1 mijë e 500 euro i morën por projekti nuk u realizua kurrë.
Ndaj Arianit Ibrahimit është ngritur edhe kallëzim penal nga përfaqësuesi i organizatës “Vatra”, Kushtrim Kadriu.
Sipas Kadriut, Ibrahimi po vazhdon ta ‘zhvatë” buxhetin e Komunës së Gjilanit me projekte të cilat nuk janë parë kurrë.
Kadriu ka hedhur akuza ndaj Ibrahimit për vjedhje të 1 mijë e 500 eurove të taksave të qytetarëve.
“Më herët, këto projekte i kishte pas fituar Arianit Ibrahimi i AKR- së përmes dy shoqatave të tij, ndërsa tani e paskan themeluar një shoqatë tjetër “Lirona MD”, themeluese e së cilës figuron Argjenda Qamili, e cila ka qenë pjesë edhe e projekteve të mëhershme të cilat janë duke u hetuar, pretendon Kadriu.
Pjesë e organizatës “The Future” ka qenë edhe Argjenda Qamili e cila tash është përfaqësuese e organizatës “Lirona MDV” që pretendonte të fitonte rreth 3.500 euro me projektin “Film Dokumentar për vlerat kulturore”
Gazeta Insajderi kishte vërtetuar lidhjet e tyre edhe përmes regjistrimit të organizatave në Kosovë.
Sipas kësaj dëshmie shihet se Argjenda Qamili ka qenë Administratore në projektin “Dokumentar për Medvegjën” në organizatën “TheFuture”. Po i njëjti emër ka hapur organizatën e re me ermin “Lirona MDV” si përfaqësuese e autorizuar.
Arianit Ibrahimi ishte kontaktuar nga Gazeta Insajderi, por ai nuk ka pranuar të flas lidhur me çështjen duke thënë se është në pritje të organeve të drejtësisë të merren me rastin.
Por ai ka kërkuar t’i referohemi shkrimit të tij në Facebook. Ai shkruante se deklaratat e Kadriut janë shpifje dhe të pa vërteta.
“Çuditna me portalet lokale tona, si i jepet hapësirë një njeriu shpifës, degradues e pa etik morale e njerëzore, që është shndërruar në një njeri i neveritshëm për të gjithë qytetarë e Gjilanit”, shkruan ai për Kadriun në Facebook.
Arianit Ibrahimi aktualisht është asambleist i Kuvendit Komunal në Gjilan nga radhët e AKR-së. Ibrahimi gjithashtu është i nominuar për kryetar zyre të Luginës në komunën e Gjilanit.
/GazetaInsajderi