×
Analiza

Telashe me tenderin mbi 700 mijë eurosh – Policia mbetet ende pa blerë çizme

Insajderi
23 December 2022 - 16:12
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

As pas afro një viti e gjysmë Policia e Kosovës nuk ka arritur që ta finalizoi një tender për blerjen e çizmeve, për të cilin ka planifikuar të shpenzoi mbi 700 mijë euro. Krejt kompanitë janë ankuar kundër Policisë.

Gazeta Insajderi

Më 14 qershor të vitit 2021 Policia e Kosovës kishte nisur një tender për të blerë çizme për pjesëtaret e saj. Një dimër shkoi pa u përfunduar kjo blerje, e tash po afron edhe gjysma e dimrit të dytë.

Ani pse kanë kaluar më afro një vit e gjysmë nga ky tender, Policia ende nuk ka arritur që të përcaktohet se nga cila prej tri kompanive që kanë konkurruar në tender të i blejë çizmet, raporton Gazeta Insajderi.

Në dokumentin me të cilin u është përgjigjur kompanive në garë, Policia u tregon atyre që asnjëra nuk po i përmbush kriteret.

Më 25 nëntor 2022, siç raporton Insajderi, Policia u ka dërguar njoftim që të tria kompanive në garë, ku iu jep arsyet pse po i eliminon. Janë arsye teknike, që kryesisht lidhen me peshën e çizmeve që ka kërkuar Policia, dhe peshën që ato kanë ofruar, por në disa raste edhe tek qarkullimi bankarë. Një kompani në vend të qarkullimit bankar ua ofroi dokumentin e Administratës Tatimore, por që kjo nuk po pranohet nga Policia.

Derisa Policia e Kosovës ka bërë vlerësimet e saj, dhe asnjëra nga tri kompanitë nuk po ‘ia mbush syrin’ që mund të ofroj çizme çfarë po iu duhen pjesëtarëve të saj, edhe kompanitë e eliminuara janë të pakënaqura me vendimin e këtij institucioni.

Të tria kompanitë tashmë kanë deponuar ankesa. Që të tirja vlerësojnë që Policia e Kosovës i ka eliminuar padrejtësisht, raporton Insajderi. Një nga kompanitë, për më shumë, ka kërkuar edhe dëmshpërblim, pasi që ka llogaritur që gjatë procesit të tenderimit ka krijuar shpenzime.

Që nga nisja e vendosjes së barrikadave nga serbet lokal në Veri të vendit, edhe një herë janë shfaqur në debatin publik ankesat për kushtet e punës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Policët e mbetur në pikën kufitare në Jarinë, aty ku u arrestua ish-kolegu i tyre, Dejan Pantiq- për shkak të të cilit serbët lokal thanë që po i vendosin barrikadat, kanë pasur vështirësi serioze në furnizime edhe me ushqim.

EULEX-i krejt pas më shumë se një jave nga koha kur policët e asaj pike kishin mbetur pa realizuar ndërrimet, doli dhe konfirmoi se ka qenë i përfshirë në realizimin e furnizimeve për këta policë pas kërkesë së autoriteteve kosovare.

Faktori ndërkombëtar po ashtu ndihmoi tutje në tërheqjen e disa policëve të kësaj pike që kishin sëmundje kronike e nuk mund të realizoheshin ndërrimet e rregullta për ta.

Në ditën e 11 të qëndrimit të tyre pa u ndërruar në këtë pikë, Kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri kishte treguar për Insajderin se ambientet ku ishin duke qëndruar policët nuk ishin të përshtatshme. Mirëpo, ai tha se ata kishin ushqim të konservuar të mjaftueshëm, ujë, pajisje higjienike dhe veshmbathje dhe derivate të mjaftueshme.

Zeqiri pati shprehur shqetësim me faktorët ndërkombëtar që siç tha ai po hezitojnë të bëjnë ndërrimin e policëve dhe pati kërkuar që urgjentisht të merren masa para se të ndodh ndonjë krizë humanitare apo tragjedi tek kolegët.

“Urgjentisht të dakordohet faktori ndërkombëtar me faktorin vendor dhe sa më parë të bëhet ndërrimi i policëve atje derisa nuk të krijohet një krizë humanitare apo të na ndodh ndonjë tragjedi te kolegët apo banorët atje sepse në rast të ndonjë sëmundje eventuale as qytetarët as policët nuk do të kenë mundësi të transportohen” deklaroi ai.

/Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark