Agjencia e Statistikave të Kosovës po ballafaqohet me disa sfida gjatë përgatitjeve për procesin e regjistrimit të popullsisë që pritet të zhvillohet në shtator të këtij viti. Kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha tha se disa nga këto telashe janë kapacitetet e vogla të burimeve njerëzore në ASK, procedurat e prokurimit dhe mungesa e eksperteve të teknologjisë.
Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës po ashtu theksojnë se për regjistrimin e popullsisë janë të angazhuara mbi 5 mijë kontrata.
Në një intervistë për KosovaPress, kryeshefi i ASK-së, u shpreh se deri në këto momente kanë kryer një varg aktivitetesh për procesin e regjistrimit të popullsisë.
“Data e regjistrimit të popullsisë në terren është caktuar për periudhën 1 shtator deri më 16 tetor të vitit 2023. Deri më tani ASK ka kryer një varg të aktiviteteve dhe ka përgatitur një numër të madh të dokumenteve, duke filluar nga harta rrugore, grupet punuese, planin e aktiviteteve, buxhetit e kështu me radhë… Por, ne po ballafaqohemi me sfida siç janë procedurat e prokurimit që janë të tej zgjatura, mungesa e eksperteve te teknologjisë së informacionit dhe kapacitetet e ASK-së me numër të njerëzve që kemi për menaxhimin e mbi 5 mijë kontratave të cilat do të jenë të angazhuara në regjistrimin e popullsisë dhe kjo konsiderohet për shkak të mungesës së resurseve humane për t’i menaxhuar këto kontrata”, tha Berisha.
Ky institucion i rëndësishëm statistikor po ballafaqohet edhe me vonesa në publikimin e rezultateve të anketave për fuqinë punëtore në vend, pasi rezultatet e anketës së fuqisë punëtore, vazhdojnë të publikohen një vit me vonesë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Berisha tregon indikatorët që po sjellin këto vonesa, megjithatë thekson se publikimet mujore do të jenë të rregullta.
Ndërkaq, në raportin e fundit nga ASK, papunësia në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2022 ishte 16.6 për qind, që shënon rënie të papunësisë në krahasim me periudhën e tremujorit të parë të vitit 2021, ndërsa, fuqia joaktive, është mjaft e lartë me 61.4%, me fokus të veçantë te femrat.
E për këtë, Berisha tha se tregu i pazhvilluar dhe solidariteti i diasporës, bënë që të rritet numri i personave joaktiv.
Kujtojmë se në korrik të vitit të kaluar, me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011.