Telashe serioze në BIK | Tetë imamë ndahen nga Këshilli i Malishevës, por mbeten besnikë të Tërnavës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Telashe serioze në BIK | Tetë imamë ndahen nga Këshilli i Malishevës, por mbeten besnikë të Tërnavës

    Insajderi
    02 January 2025 - 20:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një zhvillim i papritur ka ndodhur në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), pasi tetë imamë kanë shpallur shkëputjen e tyre nga Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) në rajonin e Malishevës. Ata kanë deklaruar se kjo ndarje është rezultat i mosmarrëveshjeve me kryetarin aktual të KBI Malishevë, Sead Paqarizi, të cilin e akuzojnë për shkelje të marrëveshjeve dhe mungesë bashkëpunimi.

    Vendimin e ka bërë të ditur imami, Behar Gashi i cili ka deklaruar se ndonëse nuk e njohin më autoritetin e KBI Malishevë, ata mbeten të përkushtuar ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës.

    Imamët që kanë ndërmarrë këtë hap janë: Xhevat Kryeziu (Bubavec), Imer Hoxha (Marali), Bedri Hoxha (Ngucat), Behar Gashi (Vermicë), Ramiz Bytyqi (Pagarushë), Hafir Xhyliqi (Senik), Besmir Foniqi (Llazicë) dhe Feim Elshani (Banjë).

    “Që nga sot, 02.01.2025, jemi shkëputur nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Malishevës dhe nga vendimet e saj, por do të vazhdojmë të jemi nëpunës të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ne imamët e xhamive të lartcekura kemi ofruar bashkëpunim me kryetarin e tanishëm, Sead Paqarizin, por ai ka shkelur marrëveshjen. Prandaj, sa është ai në pozitë të kryetarit, ne nuk jemi pjesë e Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, dhe çdo vendim nga ai nuk është i vlefshëm”, ka shkruar imami në Facebook.

    https://insajderi.org/it/tensione-ne-halabak-konflikti-mes-hoxhallareve-kishte-eskaluar-edhe-ne-muajin-janar

    Imami Behar Gashi, në emër të grupit të imamëve që janë shkëputur nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Malishevës, ka bërë një deklaratë të qartë lidhur me drejtimin dhe administrimin e çështjeve fetare në komunën e Malishevës.

    Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes imamëve dhe xhematit, duke kritikuar ashpër centralizimin dhe vendimmarrjen pa konsultime.

    “Haku i hoxhës i takon vetëm hoxhës,” ka shkruar imami, duke nënvizuar se pagesat për shërbimet fetare do të vazhdojnë të kryhen direkt te imamët e xhamive përkatëse.

    Ai shtoi se rritja e anëtarësisë dhe vendimet që merren pa koordinim me imamët dhe xhematin janë të pavlefshme.

    Sa i përket shërbimeve të varrimit, Gashi ka sqaruar se ato janë të financuara nga Komuna e Malishevës si shërbime mortore dhe jo fetare. Ai ka kundërshtuar çdo pretendim të Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës se këto shërbime financohen prej tyre, duke i cilësuar të tilla deklarata si dezinformuese.

    Imami Gashi ka paralajmëruar se nëse vazhdon kushtëzimi i pagesave të anëtarësisë me shërbime komunale nga zyrtarë të KBI Malishevë, grupi i imamëve do të ndërmarrë hapa ligjorë për të adresuar situatën në organet përkatëse shtetërore.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark