Telefonatat dhe takimet me palën serbe, a ka rënë Kurti në disfavor me amerikanët? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Telefonatat dhe takimet me palën serbe, a ka rënë Kurti në disfavor me amerikanët?

    Insajderi
    21 February 2023 - 19:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me të nisur muaji shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, telefonoi Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilit ia çmoi “angazhimin konstruktiv” në takimin me “pesëshen” diplomatike të cilët kishin zbarkuar në Prishtinë dhe Beograd, në dritën e konkretizimit të planit amerikano-evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Insajderi.

    Blinken, në njoftimin e tij në Twitter rreth telefonatës me Presidentin e Serbisë, tha se këtë të fundit e falënderoi edhe për qasjen e tij “të hapur” ndaj propozimit të BE-së, e cila “do të sigurojë paqe dhe stabilitet” në rajon, gjë që “është esenciale për sigurimin e të ardhmes evropiane për Serbinë”.

    Megjithatë, një telefonatë e këtillë, për rastin e njëjtë të zbarkimit të “pesëshes” Blinken nuk e zhvilloi edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    Kjo ngase pas daljes nga takimi me Kurtin, Ndërmjetësi Special i BE’së për Dialog, Miroslav Lajçak ishte shprehur pesimist në lidhje me pritshmëritë që kjo “pesëshe” kishte pasur nga takimi me Kurtin.

    “Kemi pritur kuptim më të mirë [nga Kurti] të mundësisë që ofron ky propozim. Shpresoj të arrijmë aty dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi”, pati deklaruar shkurtazi Lajçak me të dalë nga takimi.

    Megjithatë, u desh të kalojë pak kohë, që Kurti në një darkë me Lajçakun të deklaronte publikisht se Kosova “e kishte pranuar në parim” planin evropian për normalizim të marrëdhënieve. Megjithatë, edhe pas këtij deklarimi, një telefonatë të tillë nga Blinken nuk kishte ardhur, ndonëse kishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, e kishte mirëpritur këtë deklarim të Kurtit.

    Blinken në Konferencën e Sigurisë në Mynih, u takua me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku edhe në këtë rast, nuk u takua me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    Temë kyçe në takimin e këtyre dy të fundit ishte, pritshëm, dialogu Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve në dritën e planit evropian, që palët e kanë pranuar në parim.

    “Diskutuam rëndësinë e marrëdhënieve të normalizuara me Kosovën”, shkroi Blinken në njoftimin e takimit të tij me Vuçiqin. “Pata bisedë produktive”, tha Sekretari.

    Ndërkaq Vuçiq shkroi se në takim me Blinken-in, përveç çështjeve të dialogut, “konfirmuam marrëdhënie edhe më të mira mes Serbisë she ShBA’së”.

    Blinken shkroi se “ia përçova [Vuçiqit] vlerësimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”, ndonëse nuk specifikoi se në çka konsiston kjo mbështetje.

    Megjithatë, nuk është vetëm Blinken i cili në raste ka zhvilluar biseda vetëm me palën serbe. Kishte qenë edhe vetë Derek Chollet, ai i cili në vitin e kaluar shprehej “me keqardhje” me mosdëgjimin e kërkesave amerikane nga Kurti, derisa lëvdonte qasjen e Aleksandar Vuçiq.

    Në nëntor të vitit të kaluar në krizën e targave, Chollet kishte shkruar se ““Ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit”.

    “Diskutuam [me Vuçiqin] përkushtimin tonë për të ulur tensionet, për dialogun e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe avancimin në rrugën euro-integrimit për Serbinë”, shkruan në njoftimin e Chollet.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark