Operatori serb i telefonisë mobile “MTS” është regjistruar si biznes në Kosovë tash e njw vit, me adresë në “Lagjen e Boshnjakëve”, në veri të Mitrovicës. Në ATK konfirmojnë se ky biznes është aktiv dhe deklarues i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Ky operator shtetëror është i regjistruar si biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), pronar i të cilit figuron “Telekom Srbija AD Beograd”.
Sipas certifikatës së biznesit, pikërisht para një viti (12 tetor 2015) është konstituuar Telekomi i Serbisë në Kosovë, përderisa përfaqësues i kësaj kompanie figuron të jetë Ilija Ivanoviq, me kapital fillestar prej 25 mijë eurosh, shkruan Zëri.
Operimi i “MTS”-së në Kosovë është produkt i marrëveshjes mes palës serbe dhe asaj kosovare gjatë negociatave që po mbahen në Bruksel.