Telekomi diskriminoi dhjetëra punëtorë, disa i pagoi 100-200 euro më shumë për pozitën e njëjtë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Telekomi diskriminoi dhjetëra punëtorë, disa i pagoi 100-200 euro më shumë për pozitën e njëjtë

    Insajderi
    03 July 2023 - 18:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Telekomi i Kosovës i ka diskriminuar dhjetëra punëtorë, duke i paguar më pak se kolegët e tyre edhe pse bënin punën e njejtë.

    Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se për 41 pozita, punonjësit në këtë ndërmarrje s’janë paguar me grada të njëjta për pozitën e njëjtë. Dallimi në paga ka qenë për rreth 100 dhe 200 euro.

    Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ndërmarrjen Publike “Telekomi i Kosovës” për vitin 2022, ka gjetur se disa punëtorë të kësaj ndërmarrje janë diskriminuar në paga.

    Bazuar në këtë raport, për 41 pozita, punonjësit nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë.

    “Testet tona të listës së pagave të punonjësve, tregojnë se për 41 pozita, punonjësit nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë. Edhe pse gjatë vitit 2022 ishte hartuar rregullorja për marrëdhënie pune dhe rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës, mirëpo ende nuk ishte implementuar në tërsi procesi i ristrukturimit. Sipas konfirmimeve zyrtare, ky process do të finalizohet gjatë vitit 2023”, theksohet në raport.

    Nga Telekomi i Kosovës i kanë fajësuar menaxhmentet e kaluara për këtë gjendje. Madje, kanë drejtuar edhe akuza ndaj tyre për avancime pa kritere.

    Ushtruesi i detyrës së Drejtorit për Relacione me Publikun në Telekom, Fadil Lepaja, i ka thënë Gazetës Express se sistemi i punonjësve në pozita, në të kaluarën është bërë pa u aplikuar procedurat e regrutimit përmes së cilës përcaktohet edhe niveli i gradimit për secilën pozitë.

    “Gradimet e ndryshme të punonjësve në pozita të njëjta janë rezultat i veprimeve të pa ligjshme të menaxhmenteve të kaluara. Sistemimi i punonjësve në pozita, në të kaluarën është bërë pa u aplikuar procedurat e regrutimit për mes së cilës përcaktohet edhe niveli i gradimit për secilën pozitë. Andaj ka pasur raste kur gradimet janë bërë sipas vlerësimeve edhe subjektive. Gjithashtu ka pasur raste kur ka pasur avancime pa kritere, ku punonjësit janë ngritur në pozita të reja pa ndryshim gradash”, ka deklaruar Lepaja.

    Lepaja ka treguar edhe se për çfarë pozitash bëhet fjalë dhe sa kanë qenë dallimet në paga mes këtyre punonjësve.

    “Bëhet fjalë për pozita të ndryshme kryesisht zyrtar të nivelit të mesëm. Ka nivele të ndryshme të gradave që mbajnë këta zyrtar, dallimet kryesisht mund të jenë 1 ose 2 grada që në terma financiar mund të jenë rreth 100.00€ – 200.00€”, ka thënë Lepaja.

    Sipas Lepajës, ky problem do të zgjidhet brenda këtij viti.

    “Ky problem pritet të zgjidhet brenda këtij vit pasi që jemi në fazën e implementimit të procesit të ristrukturimit dhe plotësimi i pozitave do të bëhet përmes konkurse të brendshme”, thuhet në përgjigje.

    Në raport, Auditori ka paralajmëruar këtë ndërmarrje se pagesa e punonjësve për pozita të njëjta me grada të ndryshme, mund të rezultojë me shpenzime gjyqësorëe shtesë nëse të njëjtit bëjnë padi eventuale për mostrajtim të barabartë.

    “Pagesa e punonjësve për pozita të njëjta me grada të ndryshme mund të ndikojë në ngritjen e padive eventuale ndaj ndërmarrjes për mostrajtim të barabartë e cila mund të rezultojë me shpenzime gjyqësore shtesë. Bordi i Drejtorëve të sigurojë, që përmes akteve të brendshme të fuqizojë kontrollet e brendshme, të cilat do të pamundësojnë që punonjësit në pozitat e njëjta të paguhen me grada të ndryshme”, thuhet në këtë raport.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark