Inspektorati i Punës si mbikëqyrës i Ligjit të Punës ka gjobitur në vazhdimësi Telekomin e Kosovës. I njëjtë është rasti sikurse vjet. Ndërmarrja publike po e shkel një udhëzim administrativ që është obligativ të zbatohet edhe për ndërmarrjet publike. Përmes evitimit të këtij udhëzimi administrativ, kryeshefja ekzekutive Burbuqe Hana po përzgjedh njerëzit e preferuar të saj nëpër konkurse. Kjo po manifesohet përmes largimit të testit me shkrim, kufizimit të afatit kohor për ankesa dhe përfshirjeve nëpër komisione vlerësuese. Këtë vit, Inspektorati ka gjobitur brenda një periudhe të shkurtër kohore në shumë prej 10 mijë euro ndërmarrjen publike, e cila është prezantuar si fituese nga pushteti.
Besnik Gashi
Nga Telekomi i Kosovës kanë pasur fjalë të rënda për institucionin që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, ministri kjo që udhëhiqet nga një ministër i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Zyrtari kryesor i Financave dhe Thesarit në Telekom, Feim Kelmendi – i cili e ka shpërfaqur haptazi mbështetjen ndaj VV’së – e ka cilësuar si “gjobëvënës të paligjshëm” institucionin që është nën ombrellën e një ministri të VV’së.
“E konfirmojmë që Inspektoriati i Punës i ka shqiptuar disa gjoba adminstrative ndaj Telekomit te Kosovës. Këto gjoba i kemi konsideruar të jashtëligjshme dhe jashtë kompentencave të Inspektoriatit te njëjtat i kemi atakuar edhe në gjykatë. Inspektoriati i Punës në fakt ka dalë tërësisht jashtë binarëve të kompetencave që i takojnë me ligj dhe është shndërruar në gjobëvënës të paligjshëm ndaj Telekomit të Kosovës, duke shqiptuar në vazhdimësi gjoba të jashtëligjshme ndaj Telekomit të Kosovë. Arsye për këto sigurisht mund të i dinë vetëm ata”, ka deklaruar Kelmendi në një përgjigje me shkrim për Insajderin.
“Telekomi i Kosovës si ndërmarrje publike nuk është e obliguar të zbatoje UA Nr. 07/2017, Telekomi i Kosovës procesin e rekrutimit dhe konkurseve publike dhe te brendshme e ka të rregulluar me rregullore të brendshme, rregullore e cila eshte aprovuar nga Bordi i Drejtoreve. Kjo rregullore është ne harmoni te plote me Ligjin e Punes te cilin Telekomi i Kosoves është i obliguar ta zbatoje. Sicili konkurs i brendshëm ose i jashtëm që është zhvilluar nga Telekomi i Kosovës është zhvilluar në harmoni të plotë me rregulloren e brendshme”, ka shtuar tutje zyrtari kryesor i financave të Telekomit.
Nga Zyra për Informim në Telekom kanë thënë për Insajderin që këto përgjigje të Kelmendit të cilësohen sikurse ato të kryeshefes ekzekutive, meqë Burbuqe Hana ka kaluar në pushim vjetor dhe zyrtari financiar po e zëvendëson atë.
Insajderi përpara tri ditësh raportoi për një vendim të Inspektoratit të Punës të pesë marsit të këtij viti. Vendimi dëshmon se Telekomit të Kosovës iu është shqiptuar masa prej dy mijë eurove. Krejt kjo për shkak të mos-respektimit të datës së mbylljes së konkurrimit në konkurs, anulimit të testimit me shkrim, shkurtimin e datës së afatit të ankesave dhe cenimin e kontratës së punës.
Përpos këtij dënimi, Insajderi ka arritur të identifikojë edhe katër vendime të tjera gjobitëse të Inspektoratit të Punës në drejtim të Telekomit. Që të katërtat janë të shqiptuara brenda kësaj jave, që çojnë shumën e dënimeve në total prej 10 mijë eurosh.
Që të katër gjobat, të cilat pasojnë pas vërejtjeve përmes raportit zyrtar që lëshon Inspektorati i Punës dhe ofron afat për përmirësim, janë shqiptuar për thuajse të njëjtat arsye të lartcekura në vendimin e parë.
Gazeta Insajderi kishte raportuar vitin e kaluar për dënimet e njëpasnjëshme për shkeljet ligjore të Telekomit.
Ankuesi Isuf Mehmeti, njëri nga kandidatët për menaxher në pozitën e Burimeve Njerëzore, e kishte fituar rastin ndaj Telekomit të Kosovës, për çka ndërmarrjen publike Inspektorati i Punës e kishte dënuar me tre mijë euro.
Telekomi i Kosovës e kishte shpërfillur raportin zyrtar që iu ishte dorëzuar nga inspektorati dhe pas tre muajsh ishte dënuar për anulim të testit me shkrim për konkursin e lartpërmendur me 1.500 euro dhe 1.500 euro të tjera për mos-dhënie të përgjigjes brenda afatit nga komisioni ankimor ankuesit Mehmeti.
Në fund-gushtin e vitit të kaluar, Insajderi po raportoi për dënimet e para të Inspektoratit të Punës, në total prej 10 mijë eurove. Kreshnik Domi dhe Blerim Bala, dy kandidatë për kryeshefa ekzekutivë, fituan rastin kundër Telekomit. Inspektorati i Punës konstatoi shkelje të Ligjit të Punës në të dyja rastet.
Dënimi erdhi pasi që nuk janë zbatuar rekomandimet e inspektoratit nga raporti zyrtar.
Raportimet e Insajderit për dënimet e marra nga Telekomi u konfirmuan edhe në raportin e Auditorit për vitin 2023.
Aty përmenden gjoba të majme që kapin shifrën deri në 46 mijë euro ndaj Telekomit.
19 gjoba iu shqiptuan gjithsej ndaj kësaj ndërmarrje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në janar të 2022-ës deklaronte se gjatë atij viti synimi i Qeverisë të Kosovës ishte që Telekomi të jetë lider në tregun rajonal, të kthehet në kompani përfituese, kontribuuese dhe jo shpenzuese e buxhetit të Kosovës.
“Ne jemi të interesuar që Telekomin e Kosovës –Vala ta bëjmë lider në Kosovë ashtu siç ka qenë më herët. Dhe për këtë arsye i kemi dhënë mbështetje financiare vitin që lamë pas. Në vitin 2022 jemi të interesuar ta nxjerrim përfundimisht Telekomin nga kriza”, thoshte Kurti. /Insajderi.org/