Telekomi i Kosovës e ka anuluar në tërësi tenderin për furnizim me pajisje ‘Smart Box‘”‘ për shërbime televizive. Kjo, pasi që pesë firmat ofertuese u konsideruan si “të papërgjegjshme”. Një nga kompanitë konkurruese për fitimin e tenderit të projektuar në vlerë prej 750 mijë eurosh është futur në listë të zezë të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Bëhet fjalë për “Europrinty”. Kjo kompani është sanksionuar nga Gjykata e Tenderëve për shkak të prezantimit të një dokumenti të rremë apo të falsifikuar në një proces tenderimi të iniciuar nga Spitali i Gjakovës.
Papërgjegjshmëri teknike dhe administrative. Kështu ua ka arsyetuar pesë kompanive tenderuese anulimin e tenderit për ‘Dream Box’ për shërbime televizive ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Kompania e parë që ka tentuar ta joshë ndërmarrjen me çmim më të ulët është ‘Europrinty’, së cilës përveçqë ia përmend se nuk ka dorëzuar sigurimin e tenderit, mostrën dhe kërkesat lidhur me furnizimet e ngjashme, i kujton se është në listë të zezë nga Gjykata e Tenderëve.
“Me keqardhje ju njoftojmë se jeni eliminuar për arsyet në vijim: Tenderi i juaj është administrativisht dhe teknikisht i papërgjegjshëm. Ju nuk keni dorëzuar: Sigurimin e tenderit, mostrën e kërkuar dhe kërkesat lidhur me furnizimet e ngjashme”, thuhet në letrën standarde që ia ka dërguar ‘Europrinty’.
“Gjithashtu diskualifikoheni për arsyen e mëposhtme: Sipas vendimit të datës 18.12.2023 të OSHP-së, Operatorit ekonomik “Europrinty” SHPK me seli në Fushë Kosovë i ndalohet pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik për periudhën kohore 3 muaj, duke filluar nga data 18.12.2023 deri më datën 18.03.2024”, thuhet në njoftim.
“Europrint Group” SH.P.K. është sanksionuar nga Gjykata e Tenderëve për shkak të prezantimit të një dokumenti të rremë apo të falsifikuar në një proces tenderimi të iniciuar nga Spitali i Gjakovës.
Diskualifikimi i kompanisë “Europrint Group” Sh.P.K. nga aktivitetet e prokurimit publik është urdhëruar nga OShP-ja pas kërkesës së Zyrës së Prokurimit të Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës.
“Aprovohet si e bazuar kërkesa e datës 17.05.2022 e Spitalit të Përgjithshëm ‘Isa Grezda’ – Gjakovë, e parashtruar në cilësinë e AK, për shkak të paraqitjes së të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga OE”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Po ashtu, OSHP-ja ka urdhëruar Spitalin e Gjakovës që ta bëjë konfiskimin e sigurisë së tenderit për biznesin “Europrint Group” Sh.P.K..
Aksionarët kryesorë të “Europrint Group” Sh.P.K.: Hajriz, Arbënor dhe Albert Zabeli, janë po ashtu aksionarë në kompaninë simotër të regjistruar nën emrin e biznesit “EUROPRINTY” Sh.P.K..
Ndërkaq, për firmat e tjera ofertuese në këtë tender ka pasur kritika për papërgjegjësi teknike dhe mospërputhje të parametrave të caktuar në tender.
Ofertuesi me çmimin më të lartë ka qenë një grup i operatorëve ekonomikë të përbërë prej NTSH Diari dhe YUKSEL ELEKTRONIK, të cilët kanë ofertuar rreth 680 mijë euro. /Insajderi.org/