Telekomi i Kosovës ka njoftuar për ekzekutimin e pagave për punonjësit e ndërmarrjes publike të hënën. Ky ekzekutim i pagave ka ndodhur pavarësisht se xhirollogaritë e ndërmarrjes publike janë të bllokuara pasi kanë humbur rastin në Arbitrazh kundër “Z-Mobile”, shkruan Gazeta Insajderi.
Nga Departamenti për Relacione me Publikun kanë njoftuar për ekzekutimin e pagave.
Megjithatë pavarësisht insistimit të Insajderit, Telekomi s’ka treguar se në çfarë forme alternative ua kanë ekzekutuar pagat.
Punonjës të ndërmarrjes publike kanë bërë të ditur për Insajderin në kushte anonimiteti se pagat kanë dalë përmes bankës.
“Ne pyetjen tuaj te me hershme se ” A është duke shikuar Telekomi i Kosovës forma alternative për ekzekutimin e pagave ndaj punonjësve të ndërmarrjes”, ne ju informuam se Menaxhmenti është duke bërë përpjekje që të gjejë zgjidhje alternative, të ligjshme, në mënyrë që pagat e punëtorëve të ekzekutohen, dhe mund të ju informojmë se kështu edhe kemi vepruar sot. Pra, është vërtetë dhe jemi te lumtur të ju informojmë se sot punëtorët e Telekomit të Kosovës i kanë marrë pagat e tyre të merituara”, ka deklaruar përmes prononcimit me shkrim u.d i Drejtori për Relacione me Publikun në Telekom. Fadil Lepaja.
Akterë të pushtetit kanë kritikuar menaxhmentet e kaluara dhe iu janë sulur opozitës lidhur me bllokadën e krijuar në “ndërmarrjen fitimprurëse”.
Një reagim gjatë ditës e pati edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanoll, e cila tha se arsyeja e bllokimit të llogarive bankare ka ardhur për shkak të marrëveshjeve që janë nënshkruara nga pushtet e kaluara.
Sipas saj, të gjitha këto pasoja po vinë për shkak të kontratave të “dëmshme” e “kriminale” që janë lidhur nga pushtetet e kaluara.
“Telekomi do të përballojë me sukses edhe këtë goditje, TË FUNDIT, nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qeverisjeve të kaluara që të vetmin qëllim kishin degradimin e privatizimin e Telekomit, ndërkohë që u krijonin mundësi të pabesueshme për pasurim të paligjshëm kompanive private në kurriz të Telekomit, e blenin vota përmes punësimeve partiake në masë, pa konkurse”, ka shkruar Rizvanolli në rrjetin social ‘Facebook’.
Mijëra punëtorë të Ndërmarrjes Publike Telekomi kishin mbetur pa paga që një muaj.
Sipas sindikatës së punëtorëve të Telekomit, vendimi ishte marrë nga përmbaruesi me urdhër të ish-pronarëve të Z Mobile.
“U benë një muaj që nga bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës, një veprim i ndërmarrë nga përmbaruesi me urdhër të ish-pronarëve të Z Mobile, një kompani kriminale që ka vepruar përmes kontratave të dyshimta dhe të bazuara në korrupsion. Ky akt i paprecedent ka lënë mijëra punëtorë pa paga mujore dhe ka bllokuar funksionimin e përditshëm të, Telekomit të Kosovës, duke krijuar një situatë alarmante për të ardhmen e kompanisë dhe të punëtorëve të saj”, thuhet në një postim në Facebook.
/Insajderi.org/