Telenovela e barrikadës në Mitrovicë mund të përfundojë në qershor - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Telenovela e barrikadës në Mitrovicë mund të përfundojë në qershor

    Insajderi
    28 May 2016 - 14:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se largimi i barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” që është vendosur mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, do të përfundojë në fund të qershorit.

    Bahtiri ka deklaruar se revitalizimi i urës kryesore mbi lumin Ibër, që ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës, deri më tash ka mbetur peng i mosarritjes së një marrëveshjeje për shënimin e vijës së kufirit administrativ ndërmjet dy komunave, Mitrovicës jugore dhe asaj veriore.

    “Unë kam qenë në negociata për këtë çështje në bisedimet në Bruksel dhe ne kemi marrë një vendim dhe kemi nënshkruar marrëveshjen që është fundi i qershorit për largimin e barrikadës, ne duhet të presim zbatimin e marrëveshjes nga BE-ja”.

    “Problemi për këto vonesa ka të bëjë me shënjimin e pikave kufitare, të cilat ende nuk janë definuar nga pala serbe, ndërkaq nga ana jonë (shqiptare), janë definuar. Unë kam kërkuar që të kryhet kjo sa më shpejt”, ka thënë Bahtiri.

    Kontesti që frenon shënimin e vijës së kufirit administrativ ndërmjet dy komunave, Mitrovicës së jugut dhe asaj të veriut, qëndron te fakti nëse fshati Suhodoll i takon komunës jugore apo asaj veriore.

    Kryetari Bahtiri ka theksuar se projekti për revitalizimin e urës mbi Ibër është përgatitur, si dhe është përzgjedhur edhe kompania që do ta realizojë këtë projekt.

    Deklaratat e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, për largimin e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”, vijnë pas një aksioni protestues për heqjen e barrikadës në veri të Mitrovicës dhe, kthimin e shqiptarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre.

    Iniciativa Qytetare për Veprim organizatore e këtij aksioni përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se aksioni ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare për angazhim në zgjidhjen e problemeve politike, ekonomike dhesociale.

    “Duke parë agresionin politik që shteti i Serbisë po ndërmerr në veri të Kosovës, duke kolonizuar në tërësi pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe mosveprimin e Qeverisë së Kosovës, besojmë që me angazhim dhe presion qytetar do ta detyrojmë BE-në dhe Qeverinë e Kosovës që t’i ndalin planet hegjemoniste të Serbisë për shkatërrimin e Republikës së Kosovës”,thuhet në një njoftim për media të kësaj Iniciative.

    Zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Besim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se protesta ka kaluar e qetë dhe nuk është regjistruar ndonjë incident.

    “Protesta ka qenë në jug të Mitrovicës, ne në veri nuk kemi të regjistruar ndonjë incident. Kemi qenë në kontakt me kolegët tanë nga drejtoria rajonale e jugut, të cilët e kanë përcjellë për së afërmi këtë protestë dhe në bazë të informatave që ne i kemi, protesta ka kaluar e qetë”, ka bërë të ditur Hoti.

    Ndryshe, “Parku i paqes” i vendosur në urën qendrore në Mitrovicë, jo rrallë ishte bërë shkak i tensioneve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Mitrovicës. Tensionet u ulën pas fillimit të bisedimeve në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Barrikada e ashtuquajtur “Parku i paqes”, ishte vendosur më 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut./REL

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark