
Edicioni qendror i lajmeve të së hënës në televizionin publik ka përfunduar sikur të mos kishte ndodhur asgjë sot në Kosovë.
RTK janë marrë me shiun dhe disa ngjarje të tjera, por nuk e kanë transmetuar asnjë storie për përgjimet telefonike të cilat do të publikohen në Insajderi.
E për këtë ka reaguar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi.
“Në lajmet qendrore të RTK-së, as një fjali për skandalin “Pronto 2”, ku vërtetohet kriminaliteti i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Adem Grabovcit, etj. Kjo është edhe një dëshmi që ky grup ka kapur e kriminalizuar çdo insitucion shtetëror, duke përfshirë RTK-në”, ka shkruar Krasniqi.
Ka reaguar edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Lumir Abdigjiku.
“Shpërthen skandali më i madh i përgjimeve në vend, RTK-ja “e publikut” as edhe një kronikë për këtë. Hiç; asgjë. Mos harroni, 10 milionë në vit na kushton kjo propagandë e ndyrë. Fatmirësisht për ne, informimi s’varet nga shërbëtorët e propagandës. Fatkeqësisht për ta, kapja s’ka për t’zgjatur gjithherë”, ka shkruar Abdigjiku.
Gazeta Online Insajderi ka siguruar mbi një mijë biseda telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit, të bëra gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2011. Ato janë nxjerrë me vendim të gjykatës.
Ndikimi i njerëzve të përgjuar shtrihet mbi secilin institucion të Kosovës, përfshirë pushtetet e pavarura. Ai ka ndikim mbi sistemin gjyqësor, atë prokurorial, mbi Policinë e Kosovës, mbi media siç është Televizioni Publik, disa gazeta ditore, mbi një televizion privat dhe mbi shumë gazetarë. Insajderi do të sjell një seri bisedash të Grabovcit me Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Shaip Mujën, Ramë Bujën, Ilhami Gashin, Hajdar Beqën, Latif Gashin, Azem Sylën, e zyrtarë tjerë shtetërorë e partiak, ndërhyrjet në punën e Kuvendit dhe deputetëve./Insajderi.com