
Për shkak të rrezikut të shtuar nga temperaturat e larta dhe thatësia që po përkeqësojnë gjendjen e mjedisit dhe sigurinë e qytetarëve, autoritetet kanë marrë një vendim për ndalimin e ndezjes së zjarreve në të gjitha ambientet e hapura.
Në një njoftim të publikuar sot, Xhelal Sveçla bëri me dije se ndalohet në mënyrë të rreptë djegia e mbeturinave, pyjeve, fushave, livadheve, si dhe ndezjet për qëllime rekreacioni, piknikë apo fishekzjarrësh.
“Ndezja e zjarreve është vepër penale dhe shkelësit e këtij vendimi do të përballen menjëherë me masat ndëshkuese që parasheh legjislacioni ynë, pa asnjë dilemë”, deklaroi Sveçla, duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes maksimal dhe respektim të këtij vendimi.
Ai gjithashtu apeloi që çdo rast i vërejtjes së zjarrit ose rrezikut për zjarr të raportohet menjëherë në numrin emergjent 193 ose në Policinë e Kosovës në 192.
Ky vendim vjen në një periudhë kur temperaturat e larta dhe thatësira po rrisin ndjeshëm rrezikun nga zjarret në të gjithë vendin, duke kërcënuar seriozisht mjedisin, pronat dhe jetën e qytetarëve.