Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e kryeprokurorit të shtetit kanë reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Muratit, të bërë dje për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Përmes këtij njoftimi KPK-ja dhe ZKPSH-ja kërkojnë që bartësit e funksioneve qeveritare të jenë të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të mos pengojnë punën e prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale dhe kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.
“Puna dhe veprimet e prokurorëve të shtetit, përfshirë këtu Prokurorinë Speciale, janë objektive, profesionale, të bazuara në ligj, prova dhe fakte. Andaj, tendencat e akterëve të partive politike, përfshirë këtu përfaqësuesit e qeverisë, të cilët synojnë të minojnë kredibilitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale, kanë qenë dhe do të jenë të dështuara. KPK-ja dhe ZKPSH-ja mbështesin Prokurorinë Speciale në ushtrimin e funksioneve të saj, përkatësisht në luftën e pakompromis ndaj të gjitha veprave penale që kjo prokurori i ka në kompetencë”, thuhet tutje në reagim.