Koorporata Energjetike e Kosovës -KEK ka hapur një tender të vlerës së madhe prej 2,691,148.98 eurove për sigurimin fizik të objekteve të saj. Kontrata do të jetë një vjeçare që nga data e lidhjes së saj. E për shumë arsye, punëtorët janë të pakënaqur dhe po ankohen për menaxhmentin.
Para vitit 2004, objektet e KEK-ut siguroheshin nga punëtorët e koorporatës, në kuadër të së cilës ekzistonte sigurimi. Tash, ata transferohen tek kompanitë e sigurimeve sa herë një nga ato e fiton tenderin. Si rezultat, dhjetëra punëtorë të koorporatës janë zhgënjyer me menaxhmentin e ri për hapjen e tenderit. Shpresa e tyre ka qenë që do të rikthehen ashtu siç kanë qenë para 18 viteve, dhe mos të huazohen më nëpër kompanitë private.
Nexhat Murati, i cili ka një kontratë të përhershme me KEK-un, është kryetar i Shoqatës Sindikale “Mbrojtja dhe Siguria”.
Pasi ka parë se është hapur tenderi për sigurimin objekteve thotë se është zhgënjyer me Kryshefin e KEK-ut.
“Këta tenderë ne i konsiderojmë të paligjshëm, dhe kemi pasur disa protesta. Mbrojta dhe siguria nuk është privatizuar asnjëherë, por po huazohet tash e sa vjet. Kam qenë në takim me drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, më ka thënë se nga viti 2004 çdo gjë është bërë e paligjshme për ju. Atëherë i thash, pse keni shpallur tender përsëri për këtë punë, kur nuk kemi kontrata të shkëputura me KEK-un as në mënyrë individuale as kolektive. Pra, kështu po vazhdon një avaz i vjetër me dallavere, me hajni e me kështu”, tha Murati për Periskopin.
Fillimisht kanë qenë gjithësej 350, por me kalimin e viteve kanë mbetur vetëm 80 të cilët huazohen tek kompanitë private të cilat e fitojnë tenderin. Por, për të ruajtur objektet e KEK-ut nevojitet një numër më i madh i stafit. Nëse koorporata lidh kontratë përsëri me një kompani private të sigurimit, ata kanë një kërkesë për menaxhmentin e tyre dhe Qeverinë e Kosovës.
“Kemi bërë kërkesa në KEK e në Qeveri që të kthehet sigurimi i shërbimit, ashtu siç ka qenë. Kërkesë tjetër e jona është se, nëse nuk donë kështu, atëherë punëtorët e sigurimit të transferohen në prodhime, dhe sigurim të bëhet me punëtorë të kompanive private. Sepse këta janë punëtorë legjitim të KEK-ut dhe po vazhdojnë të huazohen në firmat private në mënyrë të paligjshme. Kemi bërë kërkesa për një sigurim shtetëror, ashtu siç e ka Trepça e shumë kompani tjera publike. Pse mos të këtë edhe KEK-u ashtu siç e ka pasur, pasi ky shërbim nuk është privatizuar, por i huazuar padrejtësisht”, shtoi tutje ai.
Murati tha se protesta nuk do të ndalet deri sa të gjendet një zgjidhje. Bile ai ka dhënë edhe informacione shqetësuese. Thotë se në koorporatë ndodhin hajni dhe nuk jep përgjigje askush.
“Kjo metode kështu, po i pasuron shumë kompanitë, ngase deri më tani ne na janë bërë pagesa shumë të ulëta. Tek tash ka ndodhur një ngritje e lehtë e pagës, e cila tash është rreth 400 euro për një punëtor. As një dëm nuk i është paguar deri më tani KEK-ut nga kompanitë e sigurim. Pra për 18 vjet nuk është paguar asnjë centë dëm. Ka vjedhje dhe keqpërdorime të shumta këtu. Nuk shkon java që nuk bëhet një hajni aty, vjedhjet kabllo e këso gjerash kryesisht”, tha Murati.
Që nga viti 2004 e deri më tani janë rreth 50 milionë euro para që ka paguar KEK-u për kompanitë e sigurimeve për sigurimin e objekteve.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në vitin 2012, në një njoftim për media bënte të ditur se mbështet punëtorët e sigurimit të KEK-ut, sepse sipas tyre, ndërmarrja “Mbrojtja dhe siguria”, janë ata që e ruajtën këtë pasuri kombëtare në kohërat më të vështira.
Ndarja e ndërmarrjes energjetike në shumë njësi të veçanta e të pavarura nga ajo, përkatësisht procesi që u quajt “korporatizim”, sipas Vetëvendosjes ishte një mënyrë për t’u larguar nga obligimet që ndërmarrja ka ndaj punëtorëve të saj.
KEK-u nuk ishte privatizuar ende, por sipas kësaj lëvizje punëtorët e KEK-ut tashmë po i vuajnë pasojat e privatizimit që pritet të ndodhë.
“Humbjet që u shkaktuan nga korrupsioni i emisarëve politikë në bordin e KEK-ut i janë faturuar dhe po i faturohen punëtorëve”, thuhej në njoftimin e Vetëvendosjes.
Ndarja e njësive nga KEK-u sipas kësaj lëvizje, bëhet me justifikimin se ndërrmarrjes po i rritet efiçienca dhe po ashtu po rritet pëlqyeshmëria e koorporatave që duan ta blejnë këtë ndërmarrje publike, duke qenë se po zvogëlohet numri i punëtorëve.
“As njëra e as tjetra nuk ka ndodhur. KEK-u ka larguar njerëz nga puna, por çorganizimi në KEK vetëm është rritur, po ashtu dhe korrupsioni. KEK-un e ka sjellë në këtë gjendje politika e korruptuar e menaxhmentit të tij. Menaxhmenti i tij është reflektim direkt i politikave qeveritare.”
Mënyra si është trajtuar KEK-u nga qeverisjet prej vitit 1999 e deri më sot tregon mungesën totale të ndjesisë për publiken, për të përbashkëtën tonë.
Lëvizja Vetëvendosje! Thoshte se mbështet plotësisht protestat dhe kërkesat e të punëtorëve të sigurimit.
“Ne e kundërshtojmë praktikën e nëpërkëmbjes së të drejtave të punëtorëve dhe të mosmbrojtjes së punëtorëve nga asnjë instancë e pushtetit. Punëtorët në Kosovë historikisht dhe aktualisht janë arsyeja dhe baza e pasurisë sonë të përbashkët. Këtë pasuri që e kanë krijuar ata jemi të obliguar ta mbrojmë të gjithë, duke u obliguar kështu t’i mbrojmë edhe punëtorët”.
Komunikata nuk është më në uebin e LVV-së. /PERISKOPI/