×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Tenderë për fqinj, pos hises në Stadium biznesmenët Jerliu morën pjesë edhe në tenderin afro 2.4 milionësh në Gjilan

    Insajderi
    05 June 2024 - 16:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni ka filluar t’i bëhet shprehi shpërblimi me tenderë publikë të njerëzve të tij të afërtë. Nuk është hera e parë që Hyseni po i shpërblen me tenderë, fqinjët e tij, biznesmenët Jerliu nga Gjilani. Kompania “Teuta-M” me pronarë Petrit dhe Sokol Jerliu pos hises në tenderin afro 15 milionësh për “renovimin e stadiumit të Gjilanit”, morën hise edhe në tenderin për “zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurtishi”, përkatësisht mbulimin e lumit Stanishorka në Gjilan. Insajderi ju sjell detajet.

    “Zgjerimi i rrugës Hamdi Kurteshi-Gjilan”, është emri i tenderit me vlerë prej afro 2.4 milionë euro apo 2.365.834, ku figuron të jetë fituese kompania e Jerlive të Gjilanit “Teuta-M”. Kontrata është dhënë me 2 tetor të vitit 2023, ndërkohë nënshkrimi figuron të jetë realizuar me datë 4 tetor.

    Grupi i operatorëve ekonomik që fituan tenderin janë; “Teuta-M Sh.P.K, ; Tali SH.P.K.; N.N.SH. World Medium ; N.N.P. Atc Com SH.P.K”.

    Kontrata është nënshkruar nga Kujtim Bajrami, zyrtar përgjegjës i prokurimit, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni si dhe drejtori, Petrit Jerliu.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar përmes telefonit njërin prej aksionarëve, Petrit Jerliun për ta pyetur se si janë përzgjedhur përfitues të këtyre tenderëve milionësh, përkatësisht se a ka ndikuar raporti i tyre me Alban Hysenin, por i njëjtit ka refuzuar të përgjigjet.

    “Nuk mund të përgjigjem përmes telefonit, hajt ditën e mirë”, ka thënë ai teksa e ka mbyllur telefonin.

    Insajderi i ka përcjellur pyetje edhe me shkrim, në imell adresë por deri në momentin e publikimit të shkrimit, nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

    Ankesa e kompanisë

    Derisa kjo kontratë ishte në proces, një kompani në garë kishte ngritur dyshime serioze për kurdisje, por kërkesa për rishqyrtim iu refuzuan nga Shefi i Tenderëve, Kujtim Bajrami.

    Kompani pretendonte se ishin përshtatur kriteret vetëm e vetëm që tenderi ti shkonte firmës së biznesmenëve Jerliu.

    “Autoriteti Kontraktues në Dosjen e Tenderit ka përcaktuar kritere diskriminuese të cilat edhe pse janë lejuara me Ligjin e Prokurimit Publik, të njëjtat nuk rekomandohet të përdoren pasi që ulin konkurrencën në mesin e operatorëve ekonomik”

    “Fjala është për: (1). Kërkesat mbi gjendjen ekonomike dhe financiare – ku është kërkuar që operatorët në rast të konsorciumit, lideri të plotësoj 60% të kërkesave për qarkullim, pasi që në kërkesën nr.1 thuhet: Kërkesa 1 Operatori ekonomik duhet te ofrojë dëshmi të kënaqshme AK se qarkullimi vjetor i Operatorit Ekonomik, gjate tre viteve lë fundit (2020-2021-2022) ka qenë në vlerë, së bashku në të tri vitet, prej jo më pak se 3,500,000.00 € Në rast grupi, lideri i grupit duhet ti plotësoj min.60% të vlerës së kërkuar.”, vijon ankesa.

    Një kërkesë e tillë e ngjashme është përcaktuar edhe në pjesën e Kërkesave mbi mundësitë teknike dhe/apo financiare ku është kërkuar:

    “Kërkesa 1 Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata te ngjashme me natyrën e aktivitetit ne 3 (tri) vitet e fundit (duke filluar nga data e publikimit te Njoftimit për kontratë), ne vlere minimale prej 3,000,000.00 e,ku prej tyre duhet te këtë se paku një Kontrate apo reference në lëmin e rregullimit të shtretërve të lumenjve ose koleklorëve”

    Të dy këto kërkesa e ulin konkurrencën dhe numrin e operatorëve ekonomik të cilët mund të plotësojnë kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit, andaj si të njëjta bien në kundërshtim me Nenet 6 dhe 7 të Ligjit të Prokurimit Publik. Po ashtu referencat nuk mund të kërkohen në projekte specifike, por ato mund të jenë të natyrës së kontratës dhe kjo përcaktohet pastaj nga lloji i punëve te cilat janë kryer nga operatori, pavarësisht emrit specifik të kontratës, nëse ka qenë apo jo për rregullimin e shtretërve të lumenjve, apo punë të ngjashme, siç mund të jenë kanalet e ujitjes, dhe pune të tjera të natyrës së kontratës”, thuhet në dokument.

    “Teuta-M” është kompani që merret me ndërtim të përgjithshëm, shërbime në inxhinieri, hidraulik dhe ndërtim të rrugëve.

    Afërsia e biznesmenëve Jerliu me Vetëvendosjen

    Nga kërkimet e bëra shihet se këto nuk janë herët e vetme që palët, pra Alban Hyseni ka bashkëpunuar me pronarët e “Teuta-M”, mjafton të futesh në “Facebook”, dhe mund të shohësh një sërë publikimesh të punëve të kontraktuara që po kryhen.

    Postimi i fundit është ai i datës 20 maj, ku shihen pamje të punimeve mbi “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Gjilan- Kult Qendra”.

    Ndërkohë, njoftimi i kryetarit Alban Hyseni mbi vendosjen e gur-themelit të kësaj qendre, i publikuar në muajin janar ishte shpërndarë nga kjo kompani.

    Përveç kësaj, nga kërkimet vërehet edhe përkrahja personale që njëri prej aksionarëve të “Teuta-M”, Sokol Jerliu ka bërë ndaj akterëve të Vetëvendosjes, Alban Hyseni dhe kryeministrit, Albin Kurti.

    Jerliu shihet se ka shpërndarë njoftimin e Drejtorisë së Kulturës  për projektin “Rrafshimin dhe përgatitjen e terrenit në pjesën e poshtme të Kalasë së Pogragjës për festivalin “Gjilan-Deep&Tech House”, teksa i kishte vënë mbishkrimin “he Gjilan he, festival deep&tech house”.

    Që është simpatizantë i Lëvizjes Vetëvendosje e dëshmon edhe një shpërndarje që i ka bërë një shkrimi të kryeministrit, Albin Kurti derisa njoftonte për vendimin e qeverisë lidhur me targat dhe dokumentet.

    Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni me datë 25 prill ka lëshuar njoftim sa i përket punimeve për zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurteshi”, duke e cilësuar atë si “një mega projekt që po jetësohet!”.

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark