×
  • Lajme
  • Insajderi

    Tenderi 1 milionësh – Dënohen me burgim ish-sekretari dhe ish-shefi i tenderëve të Ministrisë së Infrastrukturës

    Insajderi
    03 October 2022 - 13:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, duke i dënuar me pesë vite burgim.

    Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bekteshi u dënua me 2 vite burgim, ndërsa i akuzuari Tahiri u dënua me 3 vite burgim.

    Gjykatësja Dermaku tha se për të akuzuarin Tahiri, dashja dhe kontributi i tij në kryerjen e veprës penale ka qenë dukshëm më i madh.

    Dënimin me burgim, dy të akuzuarit do ta mbajnë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    Po ashtu, të njëjtëve iu është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej dy vitesh.

    Sipas aktgjykimit, dy të akuzuarit detyrohen që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia kompensojnë dëmin në vlerë 29 mijë e 828 euro.

    Bekteshi dhe Tahiri obligohen  që secili veç e veç të kompensojnë shumën nga 50 euro për fondin e viktimave të krimit dhe nga 50 euro për paushallin gjyqësor.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

    Gjykatësja Dermaku deklaroi se pasi kjo çështje është kthyer në rigjykim, gjykata pas vlerësimit të të gjitha provave erdhi në përfundim se të akuzuarit janë fajtorë.

    Ndryshe, dy të akuzuarit, më 6 gusht 2021 nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin dënuar me nga 3 vite burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Të njëjtëve iu ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vitesh, pas mbajtjes së dënimit me burg, si dhe ata ishin obliguar që të dëmtuarës MI t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar në shumën prej 29 mijë e 828 euro e 3 centë.

    Mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve dhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit, aktgjykimin e shkallës së parë e ka anuluar dhe çështjen ia ka kthyer të njëjtës në rigjykim dhe rivendosje.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ngarkonte Xhelil Bekteshin se në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.

    Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

    Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

    Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

    Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

    I pandehuri Tahiri akuzohej se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

    Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.

    Ndërsa, i pandehuri Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “Falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

    Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark