Tenderi për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës që kap vlerën 12 milionë euro ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, i njohur ndryshe edhe si Gjykata e Tenderëve, shkruan Gazeta Insajderi.
Në korrik të vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës kishte shpallur njoftimin për kontratën për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, në vlerë të parashikuar të kontratës prej 12 milionë euro, i cili ishte kategorizuar si aktivitet i prokurimit me dy faza.
Me 9 mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte publikuar rezultatet e pjesës teknike, ku ishin vlerësuar tre (3) operatorë ekonomikë me pikë, të cilët pastaj do të merrnin pjesë në hapjen e ofertave financiare që planifikohej të bëhej me datën 17 mars.
Në lidhje me këtë vendim, kishte pasur ankesë nga grupi i operatorëve ekonomikë “Gjeokonsult & Instant AI”, por e cila ishte refuzuar nga Komuna e Prishtinës me arsyetimin se e njëjta ishte paraqitur tre (3) muaj e gjysmë pas përfundimit të fazës së parë.
Të pakënaqur me këtë vendim, GOE “Gjekonsult & Instant AL” kanë deponuar ankesë në Gjykatën e Tenderëve, me pretendimin se ka pasur shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, konkretisht që operatorët ekonomikë të cilët janë vlerësuar me pikët maksimale në pjesën teknike nuk kanë plotësuar kërkesat teknike dhe profesionale, dhe se të njëjtit kanë ofruar dokumente me “informata të rreme” me qëllim të përfitimit.
Dyshimet për falsifikim nga Grupi i OE “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”.
Kohëzgjatja e kontratës pritet të jetë 36 muaj, ndërkohë tashmë kanë kaluar më shumë se 8 muaj që prej se është shpallur njoftimi për tender.
E kjo vonesë rezulton të jetë për shkak të gabimeve në hartimin e njoftimit për kontratë dhe ankesave të operatorëve ekonomikë në Gjykatën e Tenderëve për vendimet e Komunës së Prishtinës.
Monitoruesi i prokurimit publik nga D Plus, Ardit Dragusha ka komentuar vonesën e tenderit duke thënë se kjo është hera e dytë që ky aktivitet i prokurimit përfundon në OShP.
“Është hera e dytë që ky aktivitet i prokurimit përfundon në OShP. Fillimisht kishte pasur një ankesë nga një tjetër operatorë ekonomik, ankesë kjo e cila nuk ishte shqyrtuar fare nga OShP për shkak se ishte jashtë afatit ligjor. Kjo është hera e dytë që ky tender pezullohet për shkak të apelimit në OShP, ndonëse tani pretendimet e ngritura janë në fazë tjetër dhe bëhen nga një ofertues tjetër. Pa paragjykuar vendimin që do të marrë OShP lidhur me këtë ankesë, ky proces i prokurimit është karakterizuar me vonesa të shumta, ku vetëm Njoftimi për Kontratë është korrigjuar tri herë për shkak të gabimeve” – thotë Dragusha për Insajderin.
Operatori ekonomik “GJEOKONSULT&CO & INSTANT .AL” përmes ankesës së dorëzuar tek OSHP ka kërkuar që të kthehet në rivlerësim aktivitetin e prokurimit duke marrë në konsideratë argumentet dhe problematikat e trajtuara në ankesën të cilën mund ta gjeni më poshtë.