Tenderi 18 milionësh - Komuna e Gjilanit akuzohet për diskriminim dhe favorizim, detyrohet ta pezullojë kontratën - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Tenderi 18 milionësh – Komuna e Gjilanit akuzohet për diskriminim dhe favorizim, detyrohet ta pezullojë kontratën

    Insajderi
    09 April 2025 - 14:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Blenera Karaxha

    Komunës së Gjilanit i ka dal problem për tenderin ”Ndërtimi i projektit të integruar të Bulevardit të qytetit Gjilan”. Insajderi ka raportuar se dyshohet se Komuna kishte bërë shkelje të ligjit. Nga 40 ditë sa është i paraparë afati i garës për operatorët ekonomikë, komuna e kishte shkurtuar në 20 ditë. Ndërsa në Gjykatën e Tenderëve, tashmë janë deponuar ankesa pikërisht lidhur me kriteret e kontratës 18 milionëshe. Zyra e Prokurimit është detyruar ta pezullojë tenderin.

    Gazeta Insajderi

    Komuna që udhëhiqet nga Alban Hyseni i VV-së si duket nuk po i shkojnë punët mirë me kontrata. Edhe një kontratë tjetër është detyruar ta pezullojë.

    Bëhet fjalë për projektin 18 milionësh për ”Ndërtimi i projektit të integruar të Bulevardit të qytetit Gjilan”.

    Sipas vendimit të marrë nga Komuna me 04.04.2025, thuhet se pas ankesave në OSHP janë detyruar ta pezullojnë tenderin.

    Bazuar ne Rregulloren Nr.002/2024 për Plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, neni 24.9 pika b Ju njoftojmë qe: të gjitha ofertat e krijuara dhe dorëzuara deri në momentin e pezullimit do të fshihen nga sistemi dhe që është e domosdoshme që ofertat e OE të ri-krijohen (si ofertë e re) dhe të ri-dërgohen në rast se ndryshohet statusi i procedurës dhe vazhdohet me fazë të tenderimit; Për hapat tjerë lidhur me këtë aktivitet te prokurimit, me kohë do të jeni të informuar përmes plateformes së prokurmit elektronik“, thuhet në vendimin e marrë nga zyra e prokurimit.

    Por, cilat janë ankesat ndaj Komunës se Gjilanit?

    Në Organin Shqyrtues të Prokurimit, janë dorëzuar dy ankesa ndaj Komunës se Gjilanit.

    Aty janë ankuar për kriteret që caktoi Komuna për tenderin e Bulevardit të qytetit Gjilan.

    Në ankesën e një operatori ekonomik thuhet se janë shkelur disa nene si: Qëllimi, Mjetet për promovimin e përformancës, Specifikimet teknike, Njoftimi i kritereve të përzgjedhjes, Aftësia teknike dhe/ose profesionale.

    Aty thuhet se Komuna ka diskriminuar operatorët ekonomik.

    “Kriteri 9.1 dhe 9.2 – Operatori ose grupi i OE duhet te ofroj dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata per projekte te ndërtimit te natyrës se ngjashme ne vlere prej 15.000,000.00 euro, ndërsa prej tyre 6,000,000.00 euro duhet te jene pune ne projekte te ndërtimit te nënkalimeve. Ne rast te grupit, lideri duhet te këtë se paku 2 referenca ne ndërtimin e projekteve te nenkalimeve.

    Ky kriter është diskriminues dhe i panevojshëm lidhur me këtë tender, pasiqë në baza të paramasës dhe vet titullit të tenderit, “Projekti integrues i sheshit, parkingut nëntokësor dhe objektit të administrates”. Pra, përderisa shumica dërmuese e punëve ka të bëjë me ndërtimin e sheshit, parkingut dhe objektit të administratës, është e pakuptueshme se si është vendosur si kriter edhe vlera prej 6 milion eurosh në ndërtimin e nënkalimeve”, theksohet aty.

    Pothuajse të njëjtat ankesa, i ka pasur edhe një kompani tjetër: Qëllimi, Barazia në Trajtim/Jo- Diskriminimi dhe Transparenca, Rregullat e Përgjithshme për Caktimin e Afateve Kohore për pranimin e Tenderëve ose Kërkesave për Pjesëmarrje, Rregullat e posaçme për përcaktimin e afatit kohor për pranimin e tenderëve të një kontrate publike të përfshirë nga një njoftim parapra. Kapaciteti teknik dhe profesional.

    Sipas tyre Komuna e Gjilanit, me anë të kritereve ka lënë vend për favorizim.

    “OE duhet te ofroj certifikaten e qendrueshmerise se performances dhe konformitetit (EN -40-5 2002-1608-CPR-P033 valide) duke bashkangjitur Certifikaten e karakteristikave te produkteve 6.8m, 12.8m per shtylla konike ndriqimit.

    Kjo kërkesë është diskriminuese sepse këto karakteristika i ofrojnë kompanitë qe janë prodhues të shtyllave, prandaj prodhuesit janë të certifikuar me këto standarde e nuk ka arsye që të jetë i certifikuar edhe operatori ekonomik, por e rëndësishme është që te gjitha materialet qe do të përdoren do të ofrohen sipas kërkesave te projektit dhe te miratuara nga menaxheri i projekti.

    Mbi këtë bazë vlerësojmë se duhet të largohet kjo kërkesë pasi që është shumë favorizuese dhe njëkohësisht kufizuese për shumë OE”, thuhet aty.

    Në ankesë është përmendur edhe shkurtimi i afatit kohor për dorëzimin e tenderëve, që sipas tyre me këtë, Komuna ka kufizuar konkurrencën.

    “Sipas dosjes se tenderit afati i fundit per dorëzimin e tenderëve është data 07/04/2025. Me rastin e përcaktimit te afatit te fundit per dorëzimin e tenderëve, AK ka vepruar ne kundërshtim me Nenin 44 dhe Nenin 45 te LPP. Sipas dispozitave te Nenit 44 te LPP, ne rastet e kontratave me vlere te madhe, AK duhet qe te mbaje tenderin te hapur ne nje afat jo me pak se 40 dite. Ndërsa ne rastet kur ka njoftim paraprak, atëherë tenderi duhet te jete i hapur ne një afat jo me pak se 24 dite. Afati i fundit i caktuar nga Autoriteti Kontraktues është me i shkurtër se 40 dite, dhe me i shkurtër edhe se 24 dite”, shkruhet ndër të tjerash.

    Kujtojmë, se Insajderi ka raportuar për tenderin në fjalë dhe dyshimet për shkelje të ligjit.

    Sipas ligjit kontratat e mëdha duhet të kenë afat minimal 40-ditor për pranimin e ofertave dhe afati kohor i caktuar nga autoriteti kontraktues për pranimin e tenderëve, ose kërkesave për pjesëmarrje duhet të jetë i mjaftueshëm për t’iu dhënë operatorëve të interesuar ekonomik, kohë të mjaftueshme për të përgatitur dhe dorëzuar dokumentet në fjalë

    Në ndërkohë në kontratën e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, thuhet se pagesat lidhur me këtë aktivitet të prokurimit bazohen në Marrëveshjen për bashkëpunim të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësior dhe Infrastrukturës dhe Komunës së Gjilanit. ./Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark