Një tender 3.3 milionë euro po dyshohet se është kurdisur nga komuna e Vushtrrisë. Kështu po pretendon një kompani konkurruese duke hedhur akuza ndaj dy drejtorive në këtë komunë. Insajderi sjell detaje nga dosja e tenderit.
Gazeta Insajderi
Më datën 26 gusht të këtij viti, Komuna e Vushtrrisë ka hapur tender për “Ndërtimin e stacionit të pompimit të rrjetit primar dhe rezervuarëve të ujit në pjesën lindore të Vushtrrisë”.
Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 3,310,881.26 euro.
Mirëpo një kompani që kishte konkurruar për këtë tender, është ankuar duke pretenduar se ky tender është kurdisur nga Komuna e Vushtrrisë për kompani të caktuara dhe kufizohet konkurrenca.
Sipas ankesës në dosjen e tenderit, kompania “Diamanti Sh.P.K”, akuzon drejtorin e Prokurimit, dhe atë të Urbanizimit, Nexhat Merovci, për kurdisje të tenderit.
“Ky tender është i përgatitur në tërësi (100%) për kompani të caktuara dhe kufizohet konkurrenca. Këtë tender me këto kërkesa dhe dëshmi të kërkuara ne e konsiderojmë tender të kurdisur nga departamenti i prokurimit në bashkëpunim me drejtorin e Urbanizmit, përkatësisht z. Nexhat Merovci”– thuhet në ankesë.
Tutje, në ankesën e kompanisë thuhet se si është e mundur që të publikohet projekti i ndërtimit të ujësjellësit për Lot I dhe Lot II, me të njëjtat punë dhe me të njëjtën vlerë, ndërsa me kërkesa krejtësisht të ndryshme e që këto veprime sipas tyre janë joprofesionale dhe tendencioze.
Kompania në fjalë thotë se kërkesat e AK’së janë “të panevojshme” e që sipas tyre nuk do të përdoren fare në punimet që parashihen të kryhen për rrjetin, por që siç thuhet në ankesë, këto kërkesa janë bërë me qëllim për t’i detyruar operatorët e tjerë ekonomikë të heqin dorë për të konkurruar në këtë aktivitet prokurimi.
Tutje sipas kompanisë “Diamanti Sh.P.K”, këto kërkesa janë tendencë e autoritetit kontaktues, në këtë rast, Komunës së Vushtrrisë për të favorizuar një operator ekonomik të caktuar duke bërë kështu që të kufizojnë konkurrencën.
Lidhur me këtë tender kanë reaguar edhe opozita në Vushtrri, të cilët përmes një komunikate kanë thënë se këtë rast do ta adresojnë në Prokurorinë Speciale për ta hetuar.
“Sipas informatave tona, specifikat e këtij tenderi janë ndryshuar të paktën tri herë gjatë procesit, gjë që tregon për kurdisje dhe favorizim. Ne, si LDK Vushtrri, do t’i dorëzojmë të gjitha faktet dhe provat përkatëse në Prokurorinë Speciale për hetime të plota dhe të pavarura”– thuhet në komunikatën e tyre.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Vushtrrisë, lidhur me këto akuza nga operatori ekonomik, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje./Insajderi.org/