Komuna e Suharekës në prill të 2022’ës kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 74 mijë eurove me kompaninë “SEFERI-CO” sh.p.k. për ndërtimin e rrugëve në fshatin Mushtisht. Ani pse pagesa u krye për operatorin ekonomik, rrugët janë ende të pashtruara edhe një vit e gjysmë pas. Për keqpërdorimet me këtë tender, Policia e Kosovës arrestoi të martën Enver Shabanin, drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashin, zyrtar në këtë komunë.
Por, kush është kompania e kontaktuar për ndërtimin e rrugëve në Mushtisht?
“SEFERI-CO” sh.p.k. është kompania e cila u pagua për ndërtimin e rrugëve: Rexhep Velia, Molika , Shaljanët, Tafa, Ilaz Shala, Gentiana, Haxhi Shania, Avdyl Aga, Jetush Shala dhe Kovaqi.
Pronar të kësaj kompanie janë Bujar Seferaj dhe Driton Seferaj.
Në këtë fotografi është Driton Seferaj, njëri nga pronarët e “SEFERI-CO” sh.p.k.
Në prill të 2022’ës, Komuna e Suharekës kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 74 mijë e 214 eurove për ndërtimin e rrugëve të përmendura më sipër.
Për të shtuar këto rrugë, për të cilat njëherë u pagua e nuk u punuan, Komuna e Suharekës ka hapur tenderin për të dytën herë më 24 mars 2023 në vlerë prej 150 mijë eurove.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ua caktuar Shabanit dhe Kabashit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Në vendimin e Prokurorisë Themelore në Prizren thuhet se të njëjtit prej 18 maj 2022 deri më 12 dhjetor 2022, në Suharekë në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për personat tjerë.
Tutje, në vendim thuhet se Shabani dhe Kabashi me dashje kanë shkelur ligjin e Prokurimit Publik.
Për këto veprime, në vendim thuhet se të njëjtit Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 74 mijë e 214 euro e 74 cent./Insajderi.org/